
Kreu i PD, Sali Berisha ndodhet në bjeshkët e Istogut këto ditë.
Ai ka marrë pjesë në ditëlindjen e 60-të të biznesmenit të njohur në Kosovë, Gani Dreshaj, ndërsa shoqërohej edhe nga dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Berisha ishte ulur në tavolinën kryesore së bashku me Dreshajn dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, teksa shijonin darkën.
“24 orë në magjinë e bjeshkëve të Istogut
Miq, 24 orët që kaluan ishin një udhëtim në rininë time.
Në Istog shkova i ftuar nga një mik i imi, Gani Dreshaj, politikan dhe biznesmen i Kosovës, ish-luftëtar i lirisë, për të marrë pjesë në festën e 60-vjetorit të lindjes së tij.
Pas një ndalese të shkurtër dhe takimit me miqtë e përbashkët gjermanë ,deputetin e Bundestagut Peter Beyer, politikanin e shquar Elmar Brock, ish-komandantin e KFOR-it në Kosovë gjeneralin Bühler, si dhe gazetarë e biznesmenë gjermanë, u nisëm për në zemër të bjeshkëve të Istogut, në Lugun e Butë.
Në mesin e një bredhishtë madhështore ndodhej shtëpia e Ganiut, në oborrin e së cilës u organizua festa. Në rrethimin e shtëpisë ngrihej një muranë në kujtim të gjyshit të tij, mjekut Syl Dreshaj, gjyshes dhe xhaxhait të ekzekutuar nga ushtria serbe gjatë bombardimeve të NATO-s.
Në Lugun e Butë na pritën me shumë përzemërsi i ati i Ganiut, bashkëshortja, vëllezërit, motrat, fëmijët dhe rrethi i tyre familjar. Familja Dreshaj është një familje e madhe atdhetare me kontribute të veçanta në të gjitha kohërat e luftërave për liri. Në këtë traditë, të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, edhe në luftën e fundit, në radhët e UÇK-së, firmosën me trimërinë dhe gjakun e tyre lirinë që gëzojmë sot në Kosovën e pavarur.
Darka ishte vërtet magjepsëse, jo vetëm për vendin, logun e zanave ku shtrohej, por edhe për atmosferën festive të miqve e të ftuarve, këngët e artistëve dhe shërbimin e përkryer. Ishte një mbrëmje frymëzuese dhe mund të shkruaja gjatë për të, por po e mbyll duke i uruar edhe një herë Ganiut edhe 120 vite të tjera plot shëndet, gëzim dhe suksese me më të dashurit e tij”, ka shkruar Berisha krahas fotove.
Berisha prej disa ditësh nuk ka zhvilluar konferenca dhe mesa duket ka vendosur të pushojë disa ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar në shtator.
Top Channel