
Policia e Fierit dhe Lushnjës ka vënë në pranga tre shtetas të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme në zona të ndryshme, duke shkaktuar dëme në mjedis dhe rrezik për banesat përreth.
Në Fier, është arrestuar në flagrancë shtetasi F. B., 68 vjeç, banues në lagjen “Bishanak”, i cili u kap teksa i vinte zjarr argjinaturës së lumit Gjanica. Hetimet tregojnë se ai dyshohet gjithashtu për ndezjen e tre vatrave të tjera në lagjen ku banonte. Si pasojë, u dogj një sipërfaqe me bimësi të egër. Shtetasi në fjalë rezulton me precedent penalë për zjarrvënie dhe dhunë në familje.
Ndërkohë në Lushnjë, janë arrestuar dy shtetas të tjerë:
G. H., 61 vjeç, banues në lagjen “18 Tetori”, i dyshuar për zjarrvënie në tokën e tij me qëllim djegien e mbeturinave. Flakët janë përhapur deri te ish-fusha e mbetjeve urbane, duke rrezikuar banesa përreth.
N. D., 62 vjeç, banues në fshatin Delisufaj, i dyshuar për ndezje zjarri në afërsi të banesës së tij. Zjarri është përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme të fshatit dhe ka rrezikuar banesat aty pranë.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Top Channel