
Në fshatin Koshtan, njësinë administrative Qesarat në Memaliaj zjarri i rënë më herët është mbajtur nën monitorim duke mos lejuar riaktivizimin e tij.
Situata është e qetë, por mbetet në vëzhgim.
Në bashkinë Tepelenë në zonat e raportuara më parë, Koder, Lekel dhe Hormovë, nuk ka më vatra aktive.
Në lartësitë mbi fshatin Peshtan, ndërhyrja nga toka nga trupat komando dhe MZSH Tepelenë, e mbështetur nga një helikopter, ndaloi përhapjen e flakëve. Megjithatë, në majën e Golikut mbetet aktive një vatër zjarri, në terren të thyer e të vështirë për ndërhyrje.
Në bashkinë Dropull, forcat zjarrfikëse dhe trupat e FA kanë vepruar nga lartësitë e fshatit Goricë deri në fshatin Haskovë, duke shuar flakët dhe shmangur rrezikun e kalimit të zjarrit nga Delvina në Dropull.
Në bashkinë Gjirokastër në malin e Sopotit, pranë antenave, forcat zjarrfikëse banorët dhe vullnetarët ndaluan përparimin e zjarrit që po afrohej nga Delvina drejt Gjirokastrës. Operacioni, i zhvilluar në terren të vështirë, përfundoi me sukses, dhe zona po mbahet nën monitorim. Në ndihmë të operacionit morën pjesë edhe MZSH e Dropullit dhe trupat e FA.
Gjithashtu, për të mbështetur Bashkinë Delvinë, janë dërguar një mjet zjarrfikës nga Dropulli dhe një nga Gjirokastra.
Top Channel