Zjarre nga jugu në veri! Flakët në Korçë kalojnë në territorin grek, aktive prej shumë ditësh vatra në fshatin Xath

14/08/2025 12:13

Vatra e zjarrit në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjës po përparon më shumë drejt territorit grek, si pasojë  e erës që po fryn sot.

Një ekip me 40 forca dhe 9 mjete po punon që prej orëve të para për të mbajtur nën kontroll flakët. Po punojnë për të parandaluar përhapjen e perimetrit të zjarrit brenda kurorës zonë e mbrojtur. Zona paraqet edhe rrezikshmëri nga municionet, ndaj veprimet në terren janë shumë të kontrolluara. Jemi në komunikim e koordinim të veprimeve edhe me strukturat e palës greke.

Vazhdon të jetë aktive zjarri në Zonën e Mbrojtur Balloll në Poliçan. Flakët po përhapen në drejtim të fshatit Plashnik i madh. Zjarri zhvillohet brenda pyllit në terren të vështirë dhe pritet edhe ndërhyrja nga ajri. Në terren janë prezente forca të ushtrisë dhe zjarrfikës. Po ashtu një vatër tjetër zjarri në terren të vështirë është ajo në fshatin Velçan të Beratit. Po punohet me dy mjete zjarrfikëse dhe 12 forca.

Në Fushë- Arrëz vijon lufta me flakët në fshatin Xath. Forcat e ushtrisë, komuniteti vendas po mbështeten sot edhe nga një helikopter që po shuan flakët nga ajri. Terreni është shumë i thepisur në zonën ku është aktive vatra e zjarrit. Në terren për të koordinuar veprimet me strukturat vendore, ndodhen edhe Strukturat e Emergjencave Civile të Prefektit të Qarkut Shkodër. Në zonat e tjera të Qarkut Shkodrës janë shuar të gjitha vatrat aktive të zjarrit. Në kënetën e Domit në Velipojë që është një Zonë e Mbrojtur nuk ka flakë, por vetëm tym, i cili nuk paraqet rrezik përhapjeje.

Vazhdon puna për shuarjen e cungjeve dhe kontrollin e vatrës së izoluar të zjarrit në zonën pyjore në vendin e quajtur Maja e Zezë Parku Natyror i Monellës në Kukës. Për monitorim e kësaj vatre janë angazhuar 5 zjarrfikës. Në bashkitë Has edhe Tropojë nuk ka vatra aktive zjarri.

Top Channel