Vazhdon ‘lufta’ me flakët në Patra të Greqisë! Zjarret kthejnë në hi mbi 100 mijë hektarë pyje

14/08/2025 11:28

Beteja e forcave të zjarrfikësve, banorëve dhe vullnetarëve me frontet e zjarrit vazhdon për të tretë ditë me ndihmën e mjeteve ajrore në shumë zona të Greqisë.

Mëngjesi i së enjtes ka gjetur vatra zjarri të shpërndara në Ahaia pranë Patrës, situatë të përmirësuar në ishullin Hios dhe Filippiada, ndërsa po vendosen nën kontroll zjarret në Zakintho dhe Ilia të Peloponezit.

Në Ahaia pranë Patrës pesë avionë dhe gjashtë helikopterë operojnë prej mëngjesit pasi zjarret janë ende aktivë dhe ka shpresa për fikjen e tyre deri pasdite, pasi erërat kanë rënë. Gjithashtu janë me shumë se 140 zjarrfikës që po përballojnë flakët në frontet e shumta , me 5 grupe këmbësorësh dhe 41 automjete.

Dhjetëra banorë kanë braktisur shtëpitë e tyre pas urdhrit të organeve përkatëse nga numri i emergjencës 112. Organet e rendit kanë arrestuar të paktën dy persona për zjarrvënie të qëllimshme në këtë zone.

Në frontin tjetër të madh të zjarrit, në Kipouries të Kios, situata është përmirësuar ndjeshëm pas një beteje gjithë natën me flakët. Edhe pranë qytetit të Artës avionët zjarrfikës filluan të operojnë prej mëngjesit për të fikur një front gjigant zjarri që ka kërcënuar mbrëmë disa fshatra dhe falë përpjekjeve mbinjerëzore të vullnetarëve dhe zjarrfikësve, tashmë kanë mbetur disa vatra zjarri të vogla. Νë mesditën e së enjtes një zjarri madh ka shpërthyer edhe në Argolidha të gadishullit të Peloponezit.

Zjarret kanë shndërruar në hi mbi 100.000 hektarë sipërfaqe pyjore, të mbjella, ullishte, stalla dhe depo, ndërsa kanë djegur dhjetëra shtëpi dhe bagëti. Zonat e prekura nuk kanë energji elektrike ose ujë. Autoritetet janë edhe sot në gjendje gatishmërie të shtuar pasi rreziku i zjarreve mbetet shumë i lartë në kategorinë 4 në pesë rajone të vendit.

Top Channel