
Në videokonferencën e djeshme, sipas burimeve, Donald Trump ka pranuar dy kërkesat kryesore të ngritura nga Volodymyr Zelensky dhe liderët evropianë.
E para: Do të jenë vetë ukrainasit që do të vendosin për fatin e territoreve të tyre të pushtuara. E dyta: Amerikanët janë të gatshëm të ofrojnë, së bashku me evropianët, garanci sigurie për ta mbrojtur Ukrainën nga sulme të ardhshme.
Këto janë rezultatet politike më të rëndësishme, të cilat tani duhet të verifikohen në praktikë, duke filluar nga samiti i shumëpritur i nesërm mes presidentit amerikan dhe Vladimir Putinit.
Liderët evropianë ranë dakord për një plan me pesë pika, të cilin ia paraqitën presidentit të Shteteve të Bashkuara. Me një parathënie metodologjike: Roli i amerikanëve mbetet thelbësor për të testuar qëllimet reale të Putinit. Trump dhe evropianët, pra, duket se janë pajtuar për hapin e parë: “Asnjë negociatë për Ukrainën, pa Ukrainën”. E dyta: Nuk diskutohet për kufijtë pa Zelenskyn në tryezë. E treta: Bisedimet duhet të nisin nga linja aktuale e frontit. E katërta: çdo lëshim ndaj Rusisë duhet të balancohet me garanci të forta për mbrojtjen ushtarake të Kievit. E pesta: Duhet të bëhet presion i lartë ndaj Moskës me sanksione.
Lideri ukrainas ishte ndër të parët që foli. Zelensky, me shumë kujdes, paralajmëroi presidentin amerikan: Putini po kërkon vetëm të fitojë kohë, nuk e dëshiron vërtet paqen, përveç nëse marrëveshja përfundon në një dorëzim pa kushte për Ukrainën. Pothuajse të gjithë, nga presidenti francez Emmanuel Macron te Giorgia Meloni, kanë insistuar për domosdoshmërinë e programimit të një samiti tjetër, kësaj here me praninë e Zelenskyt dhe, pse jo, edhe të evropianëve.
Lideri ukrainas përmendi “Romën”, pa saktësuar nëse i referohej kryeqytetit italian apo Vatikanit. Kancelari gjerman Friedrich Merz përmendi Gjenevën. Por diskutimi mbeti sipërfaqësor: së pari duhet parë se si do të shkojë samiti i 15 gushtit.
Përpjekjet e diplomacive po përqendrohen te çështja territoriale. Edhe dje Trump ishte i prerë: Kievi duhet të përgatitet të heqë dorë nga një pjesë e territorit kombëtar. A është kjo një perspektivë e pranueshme për Zelenskyn? Përgjigjja zyrtare është “jo”.
Por disa vende, përfshirë Gjermaninë, Poloninë dhe pjesërisht Italinë, po eksplorojnë një rrugë tjetër. Kancelari Merz foli për këtë për një orë në takimin dypalësh me Zelenskyn. Ideja është të përjashtohet në çdo rast njohja formale (“de jure”) e kalimit të rajoneve ukrainase te Rusia. Pa përjashtime: As për Krimenë, as për pjesën e Donbasit të pushtuar nga ushtria e Putinit, as, e aq më pak, për distriktet ende nën kontroll ukrainas që pretendohen nga Putini. Në vend të kësaj, mund të arrihet te ngrirja e linjës së frontit, me një armëpushim të qëndrueshëm, pra, “zgjidhja koreane”, e përmendur disa herë edhe gjatë viteve të shkuara.
Në këtë mënyrë, Zelensky nuk do të ishte i detyruar, siç kërkon kushtetuta, të zhvillojë një referendum për të zyrtarizuar dorëzimin e territoreve dhe mund të ushqente shpresën — edhe pse të vogël — për t’i rikuperuar ato një ditë, në epokën pas-Putinit. Ky kompromis, megjithatë, do të duhet të shoqërohet me garanci sigurie shumë të fuqishme.
Top Channel