
Partitë shqiptare kanë lënë anash dallimet politike në nivelin qendror për t’u bashkuar në garën për komunën e Graçanicës.
Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë kanë nxjerrë një kandidat të përbashkët dhe një listë të vetme për asamble në komunën e banuar me shumicë serbe.
Bartës i listës së Aleancës Shqiptare është Leutrim Ajeti, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili për katër vitet e fundit ka mbajtur postin e nënkryetarit të Graçanicës.
Ai thotë se bashkimi i partive shqiptare ka pasur sfida, por qëllimi mbetet i njëjtë për të gjithë: zhvillimi i qytetit të vogël afër Prishtinës.
“Kur e kuptuan të gjitha partitë qëllimin, atëherë në fund ka qenë më e lehtë. Besoj që ky bashkim do të sjellë shumë përfitime politike në komunën e Graçanicës.”
Ajeti ka theksuar tre qëllime kryesore nëse arrijnë të marrin udhëheqjen e Graçanicës, komunë në të cilën historikisht kandidatët e Listës Serbe kanë dalë gjithmonë të parët: “Në këtë rast, lirimi i rrugës kryesore me një nënkalim, pastaj çështja e transportit urban që është një brengë e madhe dhe kërkesë e qytetarëve, si dhe çështja e ambientit, e cila shqetëson komunën e Graçanicës.”
Prijësi i listës së Aleancës Shqiptare nuk pret që partia më e madhe serbe në Kosovë ta kundërshtojë kandidaturën ose zgjedhjen eventuale të tij si kryetar.
“Ky është një proces demokratik dhe askush nuk mund ta ndalojë. Nëse ata fitojnë, ne ua zgjasim dorën dhe presim bashkëpunim për zhvillimin e komunës. Po ashtu, nëse fitojmë ne, është po ashtu proces demokratik dhe e dinë edhe ata, por edhe qytetarët.”
Leutrim Ajeti, kandidati i përbashkët i partive shqiptare, ka premtuar se do të punojë për të gjithë qytetarët e Graçanicës pa dallim etnie. Ai ka shtuar se bashkimi i partive shqiptare në garën për kryetarë komunash duhet të bëhet edhe në qytetet e tjera ku shqiptarët janë pakicë.
Afati për dorëzimin e emrave të kandidatëve për kryetar dhe listave për asamblistë për zgjedhjet e 12 tetorit ka përfunduar të mërkurën. Graçanica mbetet komuna e vetme ku shqiptarët, si pakicë, garojnë me një listë dhe një kandidat të vetëm për kryetar.
Top Channel