Rusia pushton dy qytete ukrainase para takimit Trump- Putin. Kremlini flet për pakt bërthamor me SHBA. Zelensky merr garanci nga Starmer për bisedimet

14/08/2025 14:46

Nesër, të premten më 15 gusht, do të mbahet takimi në Alaska mes Trump dhe Putin.

Fillimi i samitit është parashikuar për në orën 21:30 me orën shqiptare. Do të fillojë me një takim dypalësh mes liderëve, pasuar nga një drekë dhe biseda me delegacionet. Në fund parashikohet edhe një konferencë për shtyp e përbashkët mes “Czarit” dhe presidentit amerikan.

Rusia: “Shkëmbim prej 84 të burgosurish për secilën palë me Kievin”

Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar për një shkëmbim prej 84 të burgosurish lufte për secilën palë me forcat ukrainase. Moska thotë se shkëmbimi është ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Këtë e raportojnë agjencitë ruse të lajmeve Tass dhe Interfax.

Zelensky, diskutim me Starmer për garanci sigurie

Një “takim produktiv” me kryeministrin britanik Keir Starmer, gjatë të cilit “diskutuam gjithashtu në detaje garancitë e sigurisë që mund të bëjnë paqen vërtet të qëndrueshme, nëse SHBA-ja arrin të ushtrojë presion mbi Rusinë për të ndalur vrasjet dhe për t’u angazhuar në diplomaci autentike dhe konkrete”, shkruan presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pas takimit në Downing Street.

Zelensky shtoi se liderët diskutuan edhe investimet në prodhimin e dronëve ukrainas dhe se Ukraina po koordinon pozicionet me partnerët për samitin e Alaska-s. Ai theksoi rëndësinë e garancive të sigurisë dhe mbështetjes për ushtrinë dhe industrinë e mbrojtjes, si dhe nevojën për financime urgjente për prodhimin e dronëve, të cilët kanë rol vendimtar në vijën e parë të frontit.

BE: “Do të mbajmë presion mbi Moskën, sanksionet funksionojnë”

Bashkimi Evropian do të vazhdojë presionin mbi Rusinë dhe sanksionet po japin efekt, tha një zëdhënëse e Komisionit Europian, duke shtuar se çdo modifikim i mundshëm i sanksioneve në rast të një armëpushimi janë vetëm spekulime. Europa është e përgatitur për të mbështetur Ukrainën në afat të gjatë dhe pret të shohë rezultatet e samitit Trump-Putin.

Putin: “Trump po bën përpjekje efektive për të ndaluar armiqësitë. Paqja kalon përmes një marrëveshjeje mbi armët bërthamore”

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se administrata Trump po bën përpjekje efektive për të ndalur armiqësitë në Ukrainë. Ai shtoi se paqja mund të arrihet nëse Rusia dhe SHBA arrijnë një marrëveshje mbi armët bërthamore.

Putin mbledh udhëheqësit më të lartë rusë para samitit

Putin ka mbledhur sot udhëheqësit më të lartë të Rusisë për konsultime përpara samitit nesër në Alaska me Trump. Ai takoi edhe përfaqësues të qeverisë dhe administratës presidenciale, tha zëdhënësi Dmitry Peskov.

Moska pretendon pushtimin e dy qyteteve në Donetsk

Forcat ruse pretendojnë se kanë marrë kontrollin e dy qyteteve në Ukrainën lindore: fshati Iskra dhe qyteti Shcherbynivka në rajonin Donetsk, pranë qytetit minator Toretsk dhe fortesës ukrainase Kostiantynivka.

Trump dhe Putin do të diskutojnë edhe bashkëpunim ekonomik

Samiti do të përfshijë edhe një shkëmbim mendimesh mbi zhvillimin e bashkëpunimit bilateral tregtar dhe ekonomik, i cili sipas Kremlinit ka potencial të madh ende të papërdorur.

Delegacioni rus përfshin 2 këshilltarë dhe 3 ministra

Me Putin në Alaska do të jenë tre ministra dhe dy këshilltarë presidencialë: ministri i Jashtëm Lavrov, ministri i Mbrojtjes Belousov, ministri i Financave Siluanov, si dhe këshilltarët Yuri Ushakov dhe Kirill Dmitriev (këshilltar për investime të huaja).

Top Channel