“Nuk ka asnjë forcë magjike që të ndalojë zjarret”/ Rama: Nga Spanja në Turqi, gjatë gushtit janë djegur 440 mijë hektarë! Avionët i kanë, por…

14/08/2025 14:01

Nga komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama foli për situatën e zjarreve në Europë, për të treguar se i gjithë kontinenti, sidomos jugu, po lufton me flakët.

Edi Rama: Vijmë te një panoramë më e gjerë e kësaj situate. Në gusht, janë djegur 440 mijë hektarë në Europë, pjesa më dërrmuese në Europën Jugore, nga Spanja në Turqi. Bëhet fjalë për dyfishin e mesatares së llogaritur të 20 viteve të fundit. Këtë e them që të kuptohet një gjë.

Ne mund të flasim shumë, ca mund të thonë duhen ca roje apo avionë më shumë. Por, po flasim për rajone të mëdha që janë përballur me situatë shumë të rëndë. Turqia ka 55.500 njerëz të evakuuar tani dhe dihet mirë se çfarë organizimi ka. Duhet një vëzhgim për të mos dalë menjëherë në konkluzione dhe për të kuptuar që ka gjëra që duhen bërë më shumë, por nuk ka asnjë forcë magjike që të ndalojë zjarret. Ky është një fenomen që është gjithnjë e më prezent. Në mes të korrik, të dhënat e sistemit europian tregojnë se 230 mijë hektarë u dogjën brenda kufijve të BE, rreth 117% mbi mesataren e 20 viteve të fundit. Dhe nuk mund të thuash që në ato nuk ka avion.

Këtë herë kemi pasur më shumë forca ajrore se çdo herë tjetër. Po t’i rendis shtetet një nga një, kanë rritje të ndjeshme të zjarreve dhe evakuimeve, ndryshe nga ca thonë ata që krihen para pasqyrës kur digjen pyjet e Shqipërisë.

Top Channel