Në disa qytete të Serbisë edhe sonte janë mbajtur protesta antiqeveritare, ku po ashtu nuk ka munguar përleshja mes demonstruesve dhe mbështetësve të pushtetit, të udhëhequr nga Partia Progresive Serbe (SNS), partia e presidentit të këtij vendi, Aleksandar Vuçiç.

Protestat zhvillohen në Beograd, Novi Sad, Nish, Kragujevac dhe disa qytete të tjera në gjithë vendin.

Një nga vendet e protestës është Novi Beogradi, ku është pezulluar qarkullimi i trafikut, ndërsa në Novi Sad po mbahet një marsh protestues, në të cilin, siç raportoi N1, marrin pjesë shumë qytetarë.

Në Novi Beograd situata është e tensionuar, pasi demonstruesit janë ndaluar nga një kordon policor, pas të cilit ndodhen mbështetës të pushtetit. Ndërkohë, Vuçiç po i drejtohet mbështetësve të tij në rrugën Kneza Milosh.

Në Novi Sad nga ambientet e SNS-së janë hedhur mjete piroteknike, ndërsa demonstruesit kanë thyer dritaret e zyrave të kësaj partie. Policia pak minuta më vonë ka formuar një kordon mes ambienteve të SNS-së dhe demonstruesve.

Gjithashtu, edhe në qytetet e tjera ku po mbahen protesta, situata është e tensionuar mes demonstruesve, mbështetësve të pushtetit dhe policisë. Protestat e mbrëmjes janë reagim ndaj përleshjeve të djeshme mes kundërshtarëve të pushtetit dhe mbështetësve të tij.

Në mbarë Serbinë, që prej nëntë muajsh po mbahen protesta të organizuara nga studentët, si reagim ndaj shembjes së çatisë së rikonstruktuar të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Top Channel