“Pse Shqipëria nuk blen avionë zjarrfikës”? Përgjigjet Rama: Po vendet e rajonit që po përcëllohen?

13/08/2025 12:51

Në platformën X kryeministri Edi Rama përmes një komenti, flet për debatin e hapur se përse Shqipëria nuk blen avionë zjarrfikës kaq shumë të nevojshëm në këto ditë me zjarre masive në pothuajse të gjithë territorin e vendit.

“Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por… Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje:

Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?! Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull: Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pakashumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve. Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët”-shkruan Rama.

Top Channel