
Mëngjesi në Delvinë gjeti dhjetëra ushtarë dhe zjarrfikës të shtrirë përtokë në rrugë, stola dhe bordura, të rraskapitur dhe fizikisht të paaftë për të përballuar orët e shumta pa gjumë, ndërsa luftojnë për të kontrolluar flakët që kërcënojnë qytetin.
Forcat që po angazhohen në shuarjen e zjarreve janë të lodhura nga puna e vazhdueshme, disa prej tyre nuk kanë fjetur prej 48 orësh, dhe disa kanë më shumë se 3-4 javë që luftojnë çdo ditë me vatrat e zjarrit. Shumë punojnë vetëm me disa orë pushim, me veshje të dëmtuara nga flakët dhe nxehtësia, me shenja në trup dhe fytyrë, shpesh pa mundësi të ushqehen dhe hidratojnë si duhet.
Ushtarët kanë ngjitur edhe terrene shumë të pjerrëta për të bllokuar flakët me mjete rrethanore. Mes tyre ka edhe të rinj 18-20 vjeçarë, të dehidratuar dhe raskapitur, ndërsa aspekti human është kritik, pasi shpesh nuk marrin ujë të pijshëm apo ushqim të mjaftueshëm gjatë ndërhyrjeve.
Ekspertët e emergjencës bëjnë thirrje që banorët të ndihmojnë zjarrfikësit kryesisht me ujë dhe ushqim, dhe jo duke u përpjekur të rezistojnë për të mbrojtur banesat, pasi kjo rrit rrezikun për jetën e tyre dhe e bën më të vështirë punën e forcave të emergjencës.
Top Channel