
Gjatë 24 orëve të fundit, prej pikës kufitare të Kakavijës kanë hyrë në Shqipëri rreth 8,000 shtetas dhe kanë dalë afro 4,400.
Nga 1 deri më 10 gusht 2025, janë regjistruar mbi 112,000 kalime ose rreth 20% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Në Kakavijë po punojnë 4 sportele nga pala shqiptare dhe 3 nga pala greke, dhe koha mesatare e pritjes në radhë është rreth 40 minuta në pikun e ngarkesës.
Mes udhëtarëve 65% e tyre janë në hyrje dhe 35% në dalje, duke përfshirë këtë vit edhe shumë turistë të huaj. Është me interes një lloj tendence e largimit drejt Greqisë jo më për punë por për pushime. Edhe ata që kthehen nuk janë thjesht emigrantë por përtej kthimit në familje shumë prej tyre vijnë për të eksploruar Shqipërinë.
“Kam 25 vjet që jetoj në Greqi, por tani vij më shpesh në Shqipëri. Do iki në Himarë, në Vlorë e në Durrës ku kam edhe shtëpinë. Këtu është shumë bukur”, tha një emigrant nga Himara që udhëton me motor.
Një tjetër qytetar ka zgjedhur të mbërrijë në mesditë për të evituar pritjen tha se vijnë rregullisht dhe jo vetëm për pushime.
“Po vijmë për pak ditë për një hall familjar, por vijmë shpesh, si rregull dy herë në vit patjetër”, tha një tjetër emigrant.
Një familje nga Elbasani i ka kaluar këtë vit pushimet në Greqi dhe po kthehen në shtëpi përmes Kakavijes.
“Jemi nga Elbasani. Ishim me pushime në Greqi dhe tani po ikim në shtëpi. Ka pak ngarkesë, por nuk krahasohet me vitet e mëparshme. Janë shumë makina, është normale”, tha ai.
Autoritetet ju kanë bërë thirrje udhëtarëve të shmangin oraret e pikut, të shfrytëzojnë udhëtimet paradite dhe pasdite dhe të marrin në konsideratë përdorimin e pikave të tjera kufitare me Greqinë, për të shmangur vonesat.
Top Channel