
Zjarri shkatërrues që përfshiu zonën e fshatrave Kalasë, Tatzat, Senicë, Vergo, Kopaçëz dhe Palavli në Njësinë Administrative Vergo, vijon të mbahet mend si fatkeqësia më e rëndë e dekadave të fundit në këtë krahinë.
Në kulmin e flakëve, që u përhapën nga kodrat e Palavlisë deri mbi malet e Borshit, mbi 2000 banorë u evakuuan, ndërsa u shkatërruan rreth 2000 rrënjë ullinj qindravjeçarë, dhjetëra hektarë tokë bujqësore, bagëti, koshere bletësh dhe 20 banesa, mes tyre edhe kisha e Shën Dhimitrit në Senicë, Monument Kulturë i kategorisë së parë.
Pamjet dramatike të ditëve të para treguan banorë që luftonin me mjete rrethanore për të shpëtuar jetën dhe pronën.
Dy persona nga Kopaçëzi pësuan djegie të rënda dhe u dërguan për trajtim të specializuar, ndërsa të tjerë u lënduan nga tymi dhe nxehtësia ekstreme, që në disa zona arriti deri në 50°C.
Rrjeti i ujësjellësit dhe linjat elektrike u shkatërruan plotësisht, duke i detyruar banorët të qëndronin në kushte të vështira për ditë të tëra.
Dy javë më vonë, peizazhi i Vergoit mbetet i mbuluar nga bloza dhe hiri. Ullinjtë shekullorë janë kthyer në kërcunj, vreshtat dhe pemët janë zhdukur, ndërsa shumë banesa mbeten të pabanuara. Kastriot Çako, banor i Kopaçezit që jeton në Greqi, thotë se as luftërat nuk e kanë lënë krahinën në një gjendje të tillë.
“Është një katastrofë e vërtetë. Kur erdha nga Greqia e kisha parë në TV, por nuk ju besoja atyre që thoshin, por kur e pashë me sy di të them që kjo nuk ka ndodhur as në luftra. Mbase me pak organizim mund të kishte pasoja më të lehta. Kjo është një fatkeqësi dhe nuk e di si do rimëkëmbet ekonomia e njerëzve që jetojnë në këto zona. Vetë kam humbur agrume, ullinj, çdo gjë, vetëm shtëpia ka shpëtuar”, shprehet ai.
Belul Duka rrëfen orët e tmerrit kur flakët i rrethuan të mbjellat: “E pamë dhe e përjetuam, prandaj na duket e pabesueshme. Unë isha dëshmitar okular, që nga momenti kur u shfaq zjarri mbi Vergo e deri sa doli në Palavli. Kjo ka qenë një djegie masive, e përmasave të papara, me një shpejtësi marramendëse të përhapjes. Në tre minuta m’u dogj rreth 3 dynymë tokë me gjithçka: vreshta, agrume, fiq. U dorëzova, vetëm shikoja. Ramë në gjendje shoku, në kuptimin e vërtetë të fjalës.”
Komisionet e ngritura nga Bashkia Delvinë po vlerësojnë dëmet pronë më pronë. Kryetari i njësisë administrative të Vergoit, Afron Proda, thotë se prioritet është kompensimi financiar për banorët që humbën gjithçka, nga shtëpitë te bagëtia. Në Senicë, furnizimi me ujë dhe energji është rikthyer pjesërisht, ndërsa procesi i evidentimit të dëmeve vazhdon.
Llambi Nika, kryetar i fshatit Senicë thotë: “Përafërsisht janë djegur 15 shtëpi, është djegur kisha dhe rreth 800-900 rrënjë ullinj. Pas shuarjes së zjarrit, ne vendosëm menjëherë tubacionet e ujit të pijshëm dhe gjithashtu u kthye energjia elektrike.”
Zjarret nuk janë ndalur vetëm në Vergo; pas më shumë se dy ditësh ndërhyrjesh të pandërprera, situata në Bashkinë Finiq dhe zonat përreth është futur në një fazë më të qetë, por dëmet janë të jashtëzakonshme.
Top Channel