Në Kukës, këtë të hënë ka filluar aksioni për lirimin e hapësirave publike, ku bizneset kanë çmontuar vullnetarisht strukturat e vendosura në trotuare dhe në hapësira të tjera të përbashkëta.

Sipas Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) pranë Bashkisë Kukës, të gjitha bizneset janë njoftuar paraprakisht për lirimin e këtyre hapësirave. Gjatë zbatimit të aksionit është vërejtur mirëkuptim dhe bashkëpunim nga ana e tyre. Drejtori i IMT-së, Armand Oruçi, deklaroi se procesi ka nisur pa kundërshtime, me vetë bizneset që kanë ndërhyrë për të çmontuar konstruksionet e tyre.

“Fillimisht, ndërhyrjet janë përqendruar në rrugët kryesore të qytetit, me qëllim heqjen e konstruksioneve metalike dhe lirimin e trotuareve për kalimin e qytetarëve,” u shpreh Oruçi.

Ai shtoi se në fazat në vijim, aksioni do të shtrihet edhe në lagjet e qytetit, ku verifikimet paraprake kanë evidentuar raste të rrethimeve dhe zënieve të hapësirave publike pa kriter.

“Ndërhyrjet në Kukës janë pjesë e një aksioni të gjerë që po zhvillohet në të gjitha bashkitë e vendit për lirimin dhe sistemimin e hapësirave publike,” theksoi drejtori i IMT-së.

Top Channel