
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi punimet në aksin Berat-Ballaban.
Numri dy i qeverisë tha se ky aks do të bëhet i aksesueshëm brenda vitit dhe do të ndikojë pozitivisht në turizëm.
“Do ishte mirë që brenda muajit tetor ta mbyllnim të gjithë kantierin, megjithëse këtu duket që puna po shkon drejt fundit përsa i përket të gjithë volumeve parësore që janë gërmimet, shtrati i rrugës apo skarpatet, kështu që deri në fund të tetorit nëse e dorëzojmë, sezoni ardhshëm veror do t’ju gjejë me një rrugë totalisht të re”, tha Balluku.
Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi se ky projekt do të ketë një ndikim në të gjithë zonën.
“Projekti ka nisur për të rritur kualitetin e jetës së banorëve të zonës, për të rritur volumet e shkëmbimeve bujqësore, për të lehtësuar fëmijët që shkojnë në shkolla, shkëmbimet midis fshatrave ku rruga kalon, pasi kjo është një rrugë që kalon në tre krahina të rëndësishme, siç është Përmeti, Skrapari dhe Berati”, u shpreh zëvendëskryeministrja,
Aksi rrugor Berat-Ballaban nis në dalje të qytetit të Beratit dhe përfundon në fshatin pranë urës së Ballabanit.
Top Channel