
Ambasadorët e Kombeve të Bashkuara kanë dënuar planet e Izraelit për të “marrë kontrollin” e qytetit të Gazës, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu këmbëngul se kjo është “mënyra më e mirë” për të përfunduar luftën.
Gjatë një konference për shtyp, udhëheqësi izraelit deklaroi se ofensiva e planifikuar do të zhvillohet “shpejt” dhe do të “çlirojë Gazën nga Hamasi”.
Ai gjithashtu pretendoi se pengjet izraelite të mbajtura në Gaza janë “të vetmit që po lihen qëllimisht pa ushqim” dhe mohoi që Izraeli lë në uri civilët palestinezë.
Ndërkohë, Izraeli u përball me kritika të ashpra në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe vende të tjera paralajmëruan se plani rrezikonte të “shkel të drejtën ndërkombëtare humanitare”. Së bashku me Danimarkën, Greqinë dhe Slloveninë, ata kërkuan që plani të anulohet, duke shtuar se ai “nuk do të ndihmojë në kthimin e pengjeve dhe do të rrezikonte më tej jetën e tyre”.
Edhe vende të tjera anëtare të Këshillit shprehën shqetësim. Kina e quajti “të papranueshëm” ndëshkimin kolektiv të popullit të Gazës, ndërsa Rusia paralajmëroi një “përshkallëzimi të armiqësive”.
“Nëse këto plane zbatohen, ka gjasa të shkaktojnë një tjetër katastrofë në Gaza, me pasoja në gjithë rajonin, duke shkaktuar zhvendosje të detyruara, vrasje dhe shkatërrim“, tha Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Miroslav Jenca.
Por Shtetet e Bashkuara mbrojtën Izraelin, raporton BBC. Ambasadorja Dorothy Shea tha në takim se SHBA-të kanë punuar “pa pushim” për lirimin e pengjeve dhe për t’i dhënë fund luftës, dhe se vetë takimi dëmtonte këto përpjekje.
Ajo shtoi se lufta “mund të përfundonte sot nëse Hamasi do të lironte pengjet” dhe akuzoi disa anëtarë të tjerë se po shfrytëzonin takimin për të “akuzuar Izraelin për gjenocid”, një akuzë që ajo e cilësoi si “tërësisht e pavërtetueshme”.
Më vonë, zyra e Netanyahut tha se ai kishte zhvilluar një bisedë me presidentin amerikan Donald Trump në lidhje me planet e Izraelit.
Mijëra protestues kanë dalë në rrugë nëpër Izrael për të kundërshtuar planin e qeverisë, nga frika se ai rrezikon jetën e pengjeve. Në konferencën për shtyp, Netanyahu tha se Forcat e Mbrojtjes të Izraelit janë urdhëruar të shpërbëjnë “dy fortesat e fundit të Hamasit” në qytetin e Gazës dhe në një zonë qendrore rreth al-Mawasit.
Ai paraqiti gjithashtu një plan me tre hapa për të rritur ndihmën humanitare në Gaza, duke përfshirë krijimin e korridoreve të sigurta për shpërndarjen e ndihmave dhe më shumë dërgesa ajrore nga forcat izraelite dhe partnerët e tjerë.
Plani përfshin gjithashtu rritjen e numrit të pikave të sigurta të shpërndarjes së ndihmave, të menaxhuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, i cili ka qenë i kontestuar.
OKB-ja raportoi më herët këtë muaj se 1.373 palestinezë janë vrarë teksa kërkonin ushqim që nga fundi i majit, kur GHF vendosi qendrat e shpërndarjes së ndihmave.
Netanyahu akuzoi Hamasin se ka “plaçkitur me dhunë kamionët me ndihma” dhe, kur u pyet për vdekjet në vendet e shpërndarjes së ndihmave, tha se “shumë nga të shtënat janë bërë nga Hamasi”.
Izraeli nisi ofensivën e tij pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor të atij viti, ku rreth 1.200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.
Top Channel