Kur Kateryna Yesypchuk përfundoi ndërrimin e saj të parë si drejtuese e trenit në Metronë e Kievit, në qershor të vitit 2025, këmbët i dhembnin.

Edhe pse sistemet e frenimit në trenat e zhurmshëm nëntokësor kontrollohen vetëm me dorë, 25-vjeçarja shpjegon:

“Instinktivisht shtypja këmbët në dysheme, sepse jam mësuar të përdor pedalin e frenimit në makinën time”.

Deri në vitin 2017, grave u ndalohej të drejtonin trenat e metrosë. Aso kohe, 450 profesione të konsideruara më parë si “të rrezikshme dhe të dëmshme” për gratë u hapën për të gjithë.

Përfaqësues të metrosë e mbronin ndalimin për gratë duke përmendur zhurmën dhe dridhjet, të cilat, sipas tyre, mund të dëmtonin shëndetin e tyre riprodhues.

Që nga heqja e ndalimit për gratë për të drejtuar trenat e metrosë, asnjë grua nuk kishte arritur të përfundonte trajnimin intensiv – deri së fundmi.

Në vjeshtën e vitit 2024, një grua nisi punën në qytetin verilindor të Harkivit, ndërsa sot Kateryna Yesypchuk është e para dhe e vetmja grua që drejton tren nëntokësor në Kiev.

Në kushtet e pushtimit të vazhdueshëm rus, Ukraina po përballet me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore në shumë sektorë. Gjatë vitit 2024, Metroja e Kievit uli ndjeshëm frekuencën e qarkullimit të trenave – pjesërisht për shkak të mungesës së drejtuesve.

Kateryna Yesypchuk thotë se në fillim nëna e saj ishte kundër që ajo të punonte si drejtuese treni nëntokësor, mes “vajit dhe ndotjes” së metrosë. Por ajo nuk e kishte problem ndotjen – ishte mësuar me kushte të tilla.

Ajo u trajnua fillimisht për mekanike në qytetin qendror-lindor të Dnipros, ku ishte e vetmja vajzë mes 93 djemve.

“Disa prej mësuesve ishin të bindur se do të ndiqja disa kurse dhe pastaj do të hiqja dorë. Por jo – i përfundova studimet”, kujton Yesypchuk.

Para se të bëhej drejtuese treni, ajo punoi në pozita të tjera brenda ndërmarrjes së Metrosë së Kievit. Kur u hap pozita për drejtues treni – me një pagë prej rreth 669 dollarësh në muaj – vendosi të aplikonte. Thotë se bashkëshorti e mbështeti pa hezitim.

Në programin e trajnimit për drejtues trenash, Yesypchuk ishte njëra nga 28 pjesëmarrësit, përfshirë tre gra të tjera. Vetëm dhjetë e përfunduan me sukses – dhe ajo ishte e vetmja grua mes tyre.

Pamja e pazakontë e një gruaje në kabinën e trenit nëntokësor në Kiev ka shkaktuar edhe disa situata të pakëndshme.

Gjatë një ndërrimi, ndërsa po përgatitej të zëvendësohej nga një drejtues tjetër, ajo hapi derën e kabinës. Disa udhëtarë iu afruan me kureshtje për të biseduar dhe Yesypchuk u përgjigj me mirësjellje – por dikush e filmoi. Videoja u publikua në internet dhe menaxherët e saj e qortuan për shkelje të protokollit. Komunikimi me udhëtarët përmes derës së hapur të kabinës është rreptësisht i ndaluar.

Ndërsa admiron teknologjinë e rrjetit të metrosë së Kievit, Kateryna Yesypchuk nuk qëndron nën tokë më gjatë se sa duhet dhe përpiqet të shmangë përdorimin e saj si pasagjere. “Metronë e karakterizon një zhurmë e pandërprerë”, thotë ajo.

“Kur del jashtë pas punës, gjithçka duket e qetë – edhe kur makinat bien borinë”. Shpesh e pyesin edhe pse flet me zë të lartë. “Jam mësuar që në metro duhet të flasësh fort që të të dëgjojnë”, shpjegon Yesypchuk. Ajo nuk është ende e sigurt nëse do ta vazhdojë këtë punë në afat të gjatë. “Dua të shoh si do të shkojë”, thotë ajo. “Nëse e kuptoj se kjo punë nuk është për mua dhe se i kam mbivlerësuar aftësitë e mia, atëherë sigurisht që do të kërkoj një punë tjetër. Por për tani, do të provoj – do të jem në timon”. Kievi është i njohur për stacionet dekorative të metrosë të epokës sovjetike, por stacioni i preferuar i Yesypchuk është ai ku zbret në fund të ndërrimit.

Shtëpia e saj ndodhet në Myrnohrad, në rajonin lindor të Donetskut – një zonë që aktualisht është në qendër të luftimeve mes forcave pushtuese ruse dhe ushtrisë ukrainase. Për momentin, banesa e familjes është e dëmtuar, por ende qëndron në këmbë. “Vetëm dua që gjithçka të përfundojë mirë – dhe që një ditë të mund të them më në fund: ‘Po kthehem në shtëpi’”, thotë ajo./REL

Top Channel