
Presidenti i Francës Macron në prag të takimit ndërmjet Putinit dhe Trumpit në Alaskë angazhohet për Ukrainën. ‘Kievi duhet të përfshihet në bisedimet për fundin e luftës’, shkruan Macron në platformën X.
Në kuadrin e konsultimeve ndërkombëtare në Britaninë e Madhe lidhur me planet e presidentit të SHBA-së Donald Trump për Ukrainën, presidenti francez Emmanuel Macron ka insistuar, që Ukraina të përfshihet në bisedime.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin duan të takohen më 15 gusht në Alaskëpër bisedime bilaterale lidhur me fundin e luftës në Ukrainë. Deri tani nuk është parashikuar pjesëmarrja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyj në këto bisedime.
A priten ndryshime të hartës së Ukrainës?
Qysh përpara takimit të tyre Trump dhe Putin janë duke skicuar ndryshime të hartës së Ukrainës. Bëhet fjalë për shkëputje territoresh të Ukrainës që mund t’i kalojnë Rusisë.
Mjaft e madhe është indinjata në Kiev: “Çdo vendim kundër nesh, çdo vendim pa Ukrainën është një vendim kundër paqes”, deklaroi presidenti Zelenskyj për agjencitë e lajmeve.
“Përgjigja ndaj çështjeve territoriale të Ukrainës është në kushtetutën e Ukrainës. Askush nuk do t’i shmanget asaj dhe askush nuk mund t’i shmanget asaj”, tha ai në një video-mesazh. “Ukrainasit nuk do t’ia dhurojnë pushtuesit vendin e tyre.”
Kliçko: Ukrainasit të lodhur nga lufta
Ndërsa kryebashkiaku i Kievit, Vitali Kliçko nuk i përjashton shkëputejet e territoreve. Presidenti Volodymyr Zelenskyj duhet të marrë vendime të vështira, deklaroi Kliçko në një intervistë për gazetën “Bild” duke theksuar lodhjen e popullsisë nga lufta.
“Kushdo në shtetin tonë, në vendin tonë është lodhur nga kjo luftë.” Ai nënvizoi, se ukrainasit kanë paguar një çmim të lartë për këtë me: “Jetën e patriotëve tanë, të ushtarëve tanë, të qytetarëve tanë. Qindra qytete janë shkatërruar. Një pjesë e madhe e Ukrainës është pushtuar nga Rusia.”/DW
Top Channel