
Një takim urgjent i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pritet të zhvillohet sot në orën 17:00, me kërkesë të Shteteve Anëtare Evropiane të Këshillit, si Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Danimarkës, Greqisë dhe Sllovenisë, dhe me mbështetjen e Koresë së Jugut, Rusisë, Kinës, Guajanës, Pakistanit, Somalisë, Sierra Leones dhe Algjerisë.
Vëzhguesi i Përhershëm i Palestinës në OKB, Ambasadori Riyad Mansour, në një letër të datës 8 gusht 2025, kishte kërkuar zhvillimin e këtij takimi të shtunën, më 9 gusht. Megjithatë, për të respektuar “Shabbat Shalom” e izraelit, u vendos që takimi të mbahej të dielën.
Në një deklaratë për media, Ambasadori Mansour, pasi i dorëzoi kërkesën për mbledhje Ambasadorit panamez — që mban presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit për muajin gusht — theksoi se përshkallëzimi i situatës nga Izraeli “është në kundërshtim të plotë me vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare, me të drejtën ndërkombëtare dhe me logjikën e shëndoshë”, dhe madje, siç u shpreh ai, “është kundër dëshirave të shumicës së popullit izraelit”.
Ndërkohë, Përfaqësuesi i Përhershëm i Izraelit në OKB, Ambasadori Danny Danon, deklaroi: “Më 7 tetor, organizata terroriste Hamas rrëmbeu qytetarë britanikë, së bashku me qindra izraelitë. Nëse sot pesëdhjetë qytetarët britanikë do të mbaheshin peng në Gaza nga terroristët, qeveria britanike nuk do të rrinte duarkryq. Shteti i Izraelit nuk do të ndalet së luftuari për lirimin e të gjithë pengjeve. Siguria dhe mbrojtja e qytetarëve tanë është detyrë e jona.”
Top Channel