Takimi Trump- Putin, liderët e BE i dalin në krahë Zelenskyt: Jo ndryshim kufijsh në Ukrainë

10/08/2025 11:00

Udhëheqësit evropianë e kanë përshëndetur vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por theksuan nevojën për ta vazhduar trysninë mbi Moskën dhe për t’i mbrojtur interesat e sigurisë së Ukrainës dhe Evropës.

Trumpi do të takohet me Putinin në Alaskë të premten, për të biseduar për arritjen e një marrëveshjeje që mund ta zgjidhë konfliktin gati katërvjeçar.

Hollësitë e një marrëveshjeje të mundshme nuk janë bërë të ditura, por Trumpi tha se ajo do të përfshinte “disa shkëmbime territoresh për përfitimin e të dyja palëve”.

Marrëveshja mund të kërkojë që Ukraina t’i dorëzojë pjesë të mëdha të tokës së vet, gjë që, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aleatëve të tij evropianë, vetëm sa do ta nxiste agresionin rus.

NBC News, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan dhe tre të tjerë të informuar mbi çështjen, raportoi mbrëmjen e së shtunës se Shtëpia e Bardhë po shqyrtonte mundësinë për ta ftuar Zelenskyn në takimin në Alaskë.

Megjithatë, Reuters më vonë citoi një tjetër zyrtar të Shtëpisë së Bardhë të ketë thënë se, ndonëse Trump do të ishte i hapur për një takim trepalësh në Alaskë, për momentin planet janë vetëm për bisedime dypalëshe Trump–Putin, siç ka kërkuar lideri rus.

Putin deri tani e ka përjashtuar mundësinë e një takimi me Zelenskyn, i cili ka deklaruar se është i gatshëm për bisedime të tilla të drejtpërdrejta.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, u takua të shtunën në Londër me ministrin e Jashtëm britanik, David Lammy, dhe përfaqësues të Ukrainës dhe aleatëve evropianë për të diskutuar për përpjekjet e Trumpit për paqe.

Në një komunikatë të përbashkët të shtunën mbrëma, udhëheqësit e Francës, Italisë, Gjermanisë, Polonisë, Britanisë, Finlandës dhe presidentja e Komisionit Evropian, mirëpritën përpjekjet e Trumpit, duke theksuar ndërkohë nevojën për ta ruajtur mbështetjen për Ukrainën dhe presionin mbi Rusinë.

“Ne ndajmë bindjen se një zgjidhje diplomatike duhet t’i mbrojë interesat jetike të sigurisë së Ukrainës dhe Evropës”, thuhet në komunikatë.

“Ne pajtohemi se këto interesa jetike përfshijnë nevojën për garanci të forta dhe të besueshme sigurie që ia mundësojnë Ukrainës ta mbrojë në mënyrë efektive sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, theksuan ata, duke shtuar: “Rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa Ukrainën”.

Udhëheqësit deklaruan se “mbeten të përkushtuar ndaj parimit që kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.

Ata theksuan se negociatat mund të zhvillohen vetëm në kontekstin e një armëpushimi ose uljeje të armiqësive.

Zelensky tha të dielën se Kievi “vlerëson dhe mbështet plotësisht” deklaratën e përbashkët të udhëheqësve evropianë për arritjen e paqes në Ukrainë, duke mbrojtur interesat ukrainase dhe evropiane.

Ukraina dhe BE-ja kanë kundërshtuar propozime që i shohin si lëshime të tepërta ndaj Putinit, i cili dërgoi trupat ruse në Ukrainë në shkurt 2022.

Rusia e justifikon luftën me arsyetimin e asaj që e quan kërcënim ndaj sigurisë së saj nga orientimi i Ukrainës drejt Perëndimit.

Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë thonë se pushtimi është një grabitje tokash në stilin imperialist.

Moska i pretendon si të vetat katër rajone ukrainase: Luhanskun, Donjeckun, Zaporizhjan dhe Hersonin – si dhe gadishullin e Detit të Zi, Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014./REL

Top Channel