Zelensky shton kontaktet me liderët evropianë, nis punën për t’i bërë ballë presionit rus

09/08/2025 18:45

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një sërë telefonatash me udhëheqësit kryesorë evropianë, në përpjekje për të forcuar një qëndrim të unifikuar ndaj propozimeve të fundit për paqe dhe kundër presionit të Rusisë.

Zelensky ka biseduar me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin britanik Keir Starmer, si dhe liderët e Spanjës dhe Finlandës.

Këto telefonata vijnë në një moment kritik, teksa diskutohet e ardhmja e një marrëveshjeje të mundshme paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.

Presidenti Macron, në një postim në platformën X, tha se Franca mbetet e përkushtuar ndaj mbështetjes për Ukrainën, duke theksuar se “e ardhmja e Ukrainës nuk mund të vendoset pa ukrainasit” dhe se siguria evropiane është e lidhur ngushtë me këtë çështje.

Nga ana e tij, Zelensky deklaroi pas bisedës me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez se është thelbësore që Rusia të mos arrijë të imponojë “kushtet e saj jorealiste”.

Ai theksoi rëndësinë e unitetit në radhët e liderëve evropianë: “Zëri i Evropës duhet të merret në konsideratë.”

Gjatë bisedës me presidentin finlandez Alexander Stubb, Zelensky nënvizoi se duhet vepruar “me mençuri dhe në koordinim” për të frenuar përpjekjet e Rusisë për të zgjatur konfliktin dhe për të konsoliduar pushtimin e territoreve ukrainase.

Ky ofensivë diplomatike nga Zelensky vjen në sfondin e shqetësimeve për samitin e mundshëm mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, dhe rrezikut që Ukraina të mbetet jashtë tryezës së negociatave.

Top Channel