
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar biseda telefonike me disa prej liderëve kryesorë evropianë, përfshirë Presidentin e Francës Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe Kryeministrin britanik Keir Starmer.
Në një postim në platformwn X, Macron shkruan se ka folur si me Zelenskyn, ashtu edhe veçmas me Merz dhe Starmer, duke theksuar përkushtimin e tyre për të mbështetur Ukrainën. “Ne qëndrojmë të bashkuar dhe të përkushtuar në mbështetjen e Ukrainës, duke vazhduar punën brenda Koalicionit të të Vullnetshmëve,” shkruan Macron.
Ai shton se e ardhmja e Ukrainës nuk mund të vendoset pa pjesëmarrjen e ukrainasve, por edhe evropianët janë pjesë e domosdoshme e zgjidhjes, pasi siguria e tyre është e lidhur ngushtë me këtë proces.
Në orët e fundit, Zelensky ka zhvilluar biseda edhe me udhëheqës të tjerë evropianë:
Spanjë: Presidenti ukrainas foli me Kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, duke theksuar se “gjëja më e rëndësishme tani është të sigurohemi që Rusia të mos imponojë përsëri kushtet e saj jorealiste.” Ai shtoi se është thelbësore që udhëheqësit evropianë të kenë një qëndrim të unifikuar. “Zëri i Evropës duhet të merret seriozisht dhe ne po koordinojmë qëndrimin tonë të përbashkët,” tha Zelensky.
Finlandë: Zelensky zhvilloi bisedë edhe me Presidentin finlandez Alexander Stubb, ku u diskutua nevoja për veprime të mençura dhe të koordinuara për të kundërshtuar qëllimin e Rusisë për të zgjatur konfliktin dhe për të përvetësuar territore.
Top Channel