
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se “lokacioni ka rëndësi”. Dhe menjëherë pas kësaj, ai ka shpallur Alaskën si vendin ku presidenti rus Vladimir Putin do të përpiqet të promovojë një “marrëveshje historike”, e cila parashikon që Ukraina t’i dorëzojë Rusisë territore që Moska ende nuk i ka pushtuar plotësisht.
Analiza nga CNN:
Kushtet e këtij samiti, i parashikuar të mbahet të premten, janë aq të favorshme për Moskën, sa që nuk është çudi që Putin pranoi me dëshirë ftesën, pas muajsh “negociatash të rreme”. Dhe është e vështirë të imagjinohet një marrëveshje që del nga kjo tryezë pa shkaktuar një humbje të rëndë për Kievin.
Reagimi i Ukrainës dhe i aleatëve evropianë ka qenë i ashpër dhe i menjëhershëm, sidomos pas raportimeve se emisari i Trump, biznesmeni Steve Witkoff, ka propozuar që Ukraina të heqë dorë nga pjesët e mbetura të rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut në këmbim të një armëpushimi.
Dorëzim pa luftë? Plani i Putinit dhe “mirëkuptimi” i Witkoff
Kremlini ka vite që synon të marrë territore pa luftë, një strategji që Putin po përpiqet ta realizojë përmes diplomacisë së drejtpërdrejtë me Trump. Witkoff, nga ana tjetër, nuk është treguar i ndjeshëm ndaj realitetit kompleks të një lufte që po hyn në vitin e katërt dhe ku Ukraina ka humbur mijëra ushtarë për të mbrojtur çdo qytet.
Sot, forcat ruse po afrohen drejt qyteteve kyçe si Pokrovsk dhe Kostiantynivka në rajonin e Donetskut. Këto mund të bien në javët e ardhshme, duke vendosur trupat ukrainase nën rrethim. Caktimi i këtyre qyteteve si pjesë e një marrëveshjeje nuk është shumë larg asaj që Kievi mund të detyrohet të bëjë për të ruajtur forcat.
Por pjesa tjetër e Donetskut, me qytete të mëdha si Kramatorsk dhe Sloviansk, është një tjetër histori. Ato janë plot me civilë dhe një tërheqje nga Ukraina do të sillte pamje të dhimbshme: qytete që boshatisen dhe trupa ruse që futen pa qitur asnjë plumb.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e refuzoi prerazi këtë ide në orët e para të së shtunës, duke theksuar tensionin e madh mes drejtuesve ushtarakë, opinionit publik dhe një fqinji që vazhdon të bombardojë qytete ukrainase çdo natë.
Çfarë do të “fitonte” Ukraina në këmbim? Jo shumë
Çdo “këmbim territori” i propozuar mund të përfshijë vetëm disa zona të vogla përgjatë kufirit në rajonet e Sumy dhe Kharkiv – të cilat Rusia i quan “zonë mbrojtëse”. Por kjo nuk do të përbënte asnjë fitore reale për Kievin.
Në thelb, qëllimi është armëpushimi. Por edhe kjo mbetet një ëndërr e largët. Putin këmbëngul se ndalimi i luftimeve është i pamundur për shkak të “kushteve teknike” për monitorimin dhe zbatimin. Dhe me forcat ruse në avantazh taktik në terren, ai ka edhe më pak arsye për të bërë kompromis.
Evropa ndërkohë druhet të përsërisë gabimin historik të Britanisë së viteve ’30, kur ministri Neville Chamberlain nënshkroi një marrëveshje të pavlefshme me Hitlerin, e cila nuk ndaloi luftën – por e nxiti atë.
Putin merr atë që ka kërkuar gjithmonë: Një Amerikë që braktis Ukrainën
Në thelb, ajo që kërkon Moska është e qartë: një Ukrainë nën kontrollin e saj dhe një Uashington që heq dorë nga Kievi. Ndihmësi i Putinit, Yury Ushakov, e përshkroi Alaskën si një vend “fantastik” për të diskutuar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-të, ndërsa një samit i dytë në Rusi tashmë është në planifikim.
Rreziku është që samiti të kthehet në një spektakël ku Putin dhe Trump krijojnë idenë e një marrëveshjeje të “mundshme”, duke detyruar më pas Kievin të pranojë kushtet – me ndihmën e presionit amerikan mbi ndihmat ushtarake dhe inteligjencën.
Dy faktorë të rinj kanë ndryshuar lojën
Kina dhe India janë përfshirë në prapaskenë, duke telefonuar Kremlinin ditët e fundit. Me kërcënime tarifash nga SHBA dhe varësi energjetike nga Rusia, ato mund të kenë shtyrë Putinin drejt “diplomacisë”.
Trump pretendon se “është zhgënjyer” nga Putin. Ai përdor terma si “i neveritshëm” apo “më ka mashtruar”, por në praktikë nuk ka vendosur asnjë sanksion real. Aleatët e tij republikanë thonë se ai po e përsërit të njëjtin skenar si herën e parë: shumë zhurmë, por pa qëndrim të qartë ndaj Kremlinit.
Alaska si simbol dhe si sfidë
Në fund, Putini po hyn në territor amerikan për herë të parë pas një dekade, për të folur për një marrëveshje që nuk përfshin Ukrainën, dhe që i garanton Moskës më shumë tokë pa luftuar.
Vetëm gjashtë ditë na ndajnë nga e premtja, por për Kievin ajo ditë mund të shënojë fillimin e një disfate të ngadaltë dhe të heshtur.
Top Channel