
Meksika përjashton përdorimin e ushtrisë amerikane kundër karteleve të drogës në territorin e saj
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se një pushtim ushtarak nga SHBA-të është “absolutisht i përjashtuar”, pas raportimeve se Donald Trump ka autorizuar fshehurazi veprime ushtarake kundër karteleve të drogës në tokë të huaj.
Duke folur gjatë një konference për shtyp, Sheinbaum theksoi se, ndonëse Meksika vazhdon të bashkëpunojë me SHBA-në, “nuk do të ketë pushtim” dhe çdo veprim i tillë nuk është pjesë e asnjë marrëveshjeje mes vendeve.
Deklarata e saj vjen pas një raporti të “New York Times”, i cili zbulon se ish-presidenti Trump kishte nënshkruar një direktivë sekrete që i hap rrugë përdorimit të forcës ushtarake kundër karteleve në Amerikën Latine.
Sipas raportit, direktiva i jep Pentagonit bazë ligjore për operacione të drejtpërdrejta, në det dhe tokë të huaj, kundër organizatave të drogës. Më parë këtë vit, Trump kishte nënshkruar një urdhër ekzekutiv që i shpallte tetë kartele si entitete terroriste – përfshirë gjashtë meksikane.
Sheinbaum tha se Meksika ishte njoftuar për vendimin që ka të bëjë me klasifikimin e karteleve, por jo për ndonjë përfshirje ushtarake.
“Ne kemi qenë të qartë gjithmonë: jo personel ushtarak në territorin tonë,” tha ajo.
Zyrtarë amerikanë, përfshirë senatorin Marco Rubio, kanë mbështetur idenë për të trajtuar kartelet si organizata terroriste, duke përfshirë në luftën kundër tyre edhe agjencitë e inteligjencës dhe ushtrinë. Rubio tha se është koha që SHBA të ndryshojë qasjen ndaj këtyre grupeve.
Top Channel