
365 persona janë arrestuar në Londër gjatë një proteste të organizuar nga grupi Palestine Action, i cili është shpallur zyrtarisht i ndaluar në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas autoriteteve, grupi ka kryer më parë sulme të dhunshme, ka shkaktuar dëmtime të mëdha dhe konsiderohet si një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Në një deklaratë për shtyp, Policia njoftoi se janë kryer edhe shtatë arrestime të tjera, përfshirë pesë raste të sulmeve ndaj efektivëve, ndonëse fatmirësisht askush nuk ka mbetur i plagosur rëndë.
Organizatorët e protestës, një grup i quajtur Defend Our Juries, pretendojnë se deri në 700 persona ishin të pranishëm në sheshin përballë Parlamentit, duke paralajmëruar se mund të ishte dita me më shumë arrestime masive në historinë e Britanisë.
Sipas tyre, mes të ndaluarve ndodhen edhe emra të njohur si ish-i burgosuri i Guantanamo-s, Moazzam Begg, punonjës të sistemit shëndetësor britanik, aktivistë të komunitetit kuaker dhe madje edhe një protestues i verbër në karrocë me rrota.
Reagimi i autoriteteve dhe paralajmërimi për sigurinë
Sipas Policisë, një numër i konsiderueshëm personash ishin të pajisur me pankarta që shprehnin mbështetje të hapur për Palestine Action, çka përbën shkelje të ligjit, pasi grupi është shpallur i jashtëligjshëm dhe i lidhur me akte të dhunshme.
Ministrja e Brendshme britanike, Yvette Cooper, falënderoi forcat e rendit për ndërhyrjen e shpejtë dhe shtoi: “E drejta për të protestuar është e garantuar, por kjo është krejt ndryshe nga shfaqja e mbështetjes për një organizatë të ndaluar. Palestine Action është shpallur e paligjshme pas këshillimit të strukturave të sigurisë, për shkak të sulmeve të rënda që ka kryer.”
Cooper theksoi se, sipas vlerësimeve të Qendrës së Vlerësimit të Terrorizmit, grupi nuk është paqësor dhe ka elementë të përgatitjes për akte terroriste, ndërsa detaje të tjera nuk mund të publikohen për shkak të hetimeve në vijim.
Kriza në sistemin e burgjeve, presion pas arrestimeve
Protestat dhe numri i lartë i arrestimeve kanë vendosur nën presion të madh sistemin e burgjeve në Londër dhe rreth saj. Burime nga Sky Neës bëjnë me dije se drejtuesit më të lartë të shërbimit penitenciar, nën protokollin “Capacity Gold”, janë mbledhur për të diskutuar menaxhimin e situatës.
Mësohet se janë zhvendosur rreth 800 të burgosur nga burgjet më të mbingarkuara të zonës për t’i lënë vend të ndaluarve të rinj, në pritje të procedurave të mëtejshme.
Ndërkohë, policia bëri të ditur se të gjithë protestuesit e identifikuar janë liruar me kusht, ndërsa të tjerët që kanë refuzuar të japin të dhëna janë dërguar në qendra paraburgimi në disa pjesë të Londrës.
Top Channel