
Kievi e kundërshton fuqishëm idenë e shkëmbimeve territoriale si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Në komentet e bëra të premten, Trump deklaroi se një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës “do të përfshijë disa shkëmbime territoresh, në të mirë të të dyja palëve”. Propozimi ka ngritur shqetësime të thella në Ukrainë, ku autoritetet pyesin se çfarë është gati të lëshojë Rusia në këmbim të asaj që pret të fitojë.
Ukraina, e cila prej vitesh lufton për të mbrojtur territoret lindore në Donetsk dhe Luhansk nga forcat ruse, e sheh këtë ide si një rrezik serioz për sovranitetin e saj. Megjithë ofensivat e vazhdueshme ruse, disa qytete në këto rajone mbeten ende nën kontrollin ukrainas.
Ndërkohë, u njoftua për një takim të ardhshëm Trump-Putin, që përkon me afatin e fundit të vendosur nga Trump ndaj Putinit për të ndalur luftën – përndryshe Rusia do të përballet me sanksione më të ashpra. Ky zhvillim shihet si një përpjekje nga Kremlini për të shmangur presionin ekonomik, sidomos për shkak të varësisë së tij nga të ardhurat e naftës.
Ende mbetet e paqartë nëse një takim trepalësh mes SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës do të ndodhë, por Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka theksuar se Ukraina duhet të jetë domosdoshmërisht pjesë e çdo procesi negociator për paqen.
Top Channel