
Gjykata Kushtetuese e Kosovës u ka dhënë edhe 30 ditë të tjera kohë, deputetëve të konstituojnë Kuvendin, duke e urdhëruar njëkohësisht kryesuesin e seancës, Avni Deharin të kthehet në votim të hapur për kryeparlamentar.
Kjo për shkak që Gjykata shpalli të pavlefshme seancat nga 27 qershori e deri më 26 korrik, pasi u konstatua se kishte shkelje për shkak të insistimit të Lëvizjes Vetëvendosje në votimin e fshehtë.
“Kjo i pamundëson kryesuesit Dehari, që përmes taktizimeve dhe sjelljes arbitrare të zvarrisë më tutje procedurën. Duke kontribuar drejt gjetjes së një zgjidhjeje të paktën nëse disa prej deputetëve i qëndrojnë deklarimeve të tyre që do të votojnë për cilindo kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje për sa kohë që procedura e votimit është e hapur”, tha Eugen Cakolli, Instituti i Kosovës për demokraci.
Mes tjerash, Kushtetuesja e ka limituar edhe përsëritjen e kandidatit të njëjtë për kryeparlamentar në vetëm tre herë. Njohësit thonë se ndonëse një gjë e tillë nuk përcaktohet me Kushtetutë, gjykata ka konsultuar praktika tjera.
“Është ndjekur analogjia me zgjedhjen e presidentit dhe është marrë parasysh edhe modele të tjera të ofruara nga komisioni i Venecias. Përmes kufizimit të numrit të kandidaturës së njëjtë Gjykata Kushtetuese e ka imponuar parimin që e drejta për të propozuar një kandidat nuk është obligim për deputetët e tjerë për të votuar”, u shpreh Cakolli.
Kësisoj, Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve dhe që ka të drejtën kushtetuese të propozojë kandidatin për kryeparlamentar, në rast se dështon me një kandidaturë, brenda afatit një mujor, mund të nxjerrë 15 të tjera.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk e ka nxjerrë aktgjykimin e plotë që do të japë sqarime shtesë. Prandaj edhe kërkohet nga institucioni më i lartë juridik i vendit, të vazhdojë me shqyrtimin e kërkesës së tërhequr të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, për të dhënë sqarime mbi pasojat juridike në rast të moskonstituimit edhe pas këtij afati.
“Për shkak të interesit të madh publik dhe kushtetues të kërkesës së Presidentes, to vazhdojë me trajtimin e saj dhe të nxjerrë vendim meritor mbi pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit në afatin 30 ditor që praktikisht në rastin tonë i bie tejkalimit të afatit 60 ditor”, përfundon Cakolli.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar po ashtu shkeljen e Kushtetutës nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari. Përpos kësaj, ka obliguar edhe të gjithë deputetët të jenë prezentë e të marrin pjesë në votimin për kryeparlamentar.
Deri në aktgjykimin e plotë, Kushtetuesja ka njoftuar se masa e përkohshme do të mbetet në fuqi. Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill dhe nuk ka përfunduar as pas katër muajsh, në mungesë të zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe kryesisë.
Top Channel