
Pas reagimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që hodhi poshtë idenë për dhënien e territorit Rusisë, gazeta amerikane Wall Street Journal raportoi se zyrtarët ukrainas dhe evropianë i kanë paraqitur Uashingtonit një propozim të ri.
Kjo erdhi pasi Kremlini për armëpushimin sugjeroi shkëmbimin e territoreve ukrainase të Donetskut dhe Luhanskut. Duke cituar dy zyrtarë evropianë Wall Street Journal raportoi të shtunën se propozimi, i paraqitur Zëvendëspresidentit të SHBA-së JD Vance, Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, të dërguarit të Ukrainës Keith Kellogg dhe Steve Witkoff, përsërit se Ukraina dhe Evropa duhet të përfshihen në çdo negociatë të zhvilluar me Rusinë, ndërsa kërkon gjithashtu që një armëpushim të zbatohet para se të ndërmerren hapa të mëtejshëm.
Sipas zyrtarëve, kjo u propozua në një takim me zyrtarë të lartë amerikanë në Mbretërinë e Bashkuar të shtunën. Udhëheqësit evropianë dolën në anën e Zelenskyy-t me deklarata të postuara në mediat sociale. Presidenti francez Emmanuel Macron në një postim në X shkroi se “e ardhmja e Ukrainës nuk mund të vendoset pa ukrainasit”, duke shtuar se “evropianët gjithashtu domosdoshmërisht duhet të jenë pjesë e zgjidhjes, pasi siguria e tyre është në rrezik”. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ishte në të njëjtën linjë, duke shtuar se “ne duhet të arrijmë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme që respekton pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës”.
Zelensky foli gjithashtu me Presidentin finlandez Alexander Stubb, duke e falënderuar atë për mbështetjen e tij. “Ukraina dhe Finlanda kanë kufijtë më të gjatë me Rusinë në Evropë dhe populli ynë e di shumë mirë se çfarë kërcënimesh sjell kjo”, tha ai në një postim në X.
Reagimet erdhën pasi Trump njoftoi se do të takojë në Alaskë të premten homologun rus Vladimir Putin për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë, ku pritet të përfshihen disa shkëmbime territoriale për të mirën e të dy vendeve.
Top Channel