
Aksionit që vijon prej javësh në të gjithë vendin për lirimin e hapësirave publike do t’i shtohet një pako e re masash.
Lajmi bëhet i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili paralajmëron sërish ndëshkim për shkelësit e ligjit, qofshin ata biznesmenë apo punonjës të shtetit.
“Pakoja e re e masave që do të miratojmë së shpejti do të jetë një mesazh i qartë për të gjithë, ata që shkelin ligjin duke lënduar mjedisin e përbashkët, po edhe ata që mbyllin sytë përpara shkelësve”.
Kreu i qeverisë publikon një video të re, që tregon punonjësit e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit duke prishur një objekt pa leje, ndërsa paralajmëron se shembjet do të vazhdojnë.
“Kjo video është për ata që kanë merakun e gabuar se s’po ndëshkohen shkelësit e mëdhenj, si edhe për të ritheksuar faktin që kjo ngrehinë këtu nuk është as e para e as e fundit që rrafshohet për paligjshmëri, ndërkohë që të tjera procese sekuestrimesh po bëhen në Vlorë e jo vetëm, për shkelje brutale të lejeve të ndërtimit”.
Prej më shumë se një muaji në të gjithë territorin vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna pa leje nga bizneset, që kanë ngritur struktura metalike nëpër trotuare apo kanë zaptuar hapësirat publike. Aksioni nisi fillimisht në zonat e banuara dhe më pas u shtri edhe në akset kombëtare.
Top Channel