Analiza nga CNN: Plani i Netanyahut për marrjen e Gazës nuk kënaq askënd përveç vetes

09/08/2025 20:46

Dy vite pas fillimit të luftës në Gaza, kabineti izraelit i sigurisë ka miratuar një plan të ri ushtarak për të rrethuar Qytetin e Gazës, një vendim që ka shkaktuar përplasje të ashpra brenda vetë Izraelit dhe kritika ndërkombëtare.

Plani i propozuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është kundërshtuar ashpër nga udhëheqja ushtarake izraelite, e cila paralajmëron për pasoja të rënda humanitare dhe rrezik të shtuar për 50 pengjet izraelite që besohet se ndodhen ende në Gaza. Megjithatë, Netanyahu ka zgjedhur të ecë përpara, në atë që shihet gjithnjë e më shumë si një manovër politike për të fituar kohë në përballje me krizën e tij të brendshme.

Sipas analistëve, Netanyahu po përpiqet të ruajë koalicionin e tij të djathtë, i cili e ka kërcënuar me rrëzim nëse lufta ndalet, shkruan CNN. Aleatët e tij më të ashpër, si Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich, kërkojnë jo vetëm vijimin e ofensivës, por edhe pushtimin e plotë të Gazës dhe rindërtimin e vendbanimeve hebraike atje.

Por edhe ky plan i ri nuk i kënaq ata. “Ky vendim nuk është as moral, as etik, as sionist,” ka deklaruar një burim pranë Smotrich.

Gjatë mbledhjes 10-orëshe të kabinetit, Shefi i Shtabit të Ushtrisë izraelite Eyal Zamir e cilësoi planin të rrezikshëm, duke thënë se mund të sjellë më shumë viktima dhe të përkeqësojë situatën në terren. Sipas tij, Gaza mund të kthehet në një kurth që do të lodhë më tej ushtrinë dhe do të zgjerojë krizën humanitare për popullsinë palestineze.

Plani, i cili do të nisë brenda dy muajve, fokusohet vetëm në Qytetin e Gazës dhe nuk përfshin zonat përreth ku besohet se mbahen pengjet. Analistët shohin një qëllim të qartë pas këtij afati: Netanyahu po lë hapësirë për një marrëveshje të mundshme armëpushimi, që mund të anulojë gjithçka në momentin e fundit.

Ndërkohë, mbështetja për luftën në opinionin publik izraelit po bie ndjeshëm. Sipas sondazheve të fundit, shumica e qytetarëve mbështesin një armëpushim që do të kthente pengjet dhe do t’i jepte fund luftimeve.

Nga jashtë, izolimi i Izraelit po thellohet. Gjermania, aleati i dytë më i rëndësishëm strategjik pas SHBA-së, njoftoi se do të pezullojë një pjesë të eksporteve ushtarake për Izraelin, një sinjal që edhe vendet e tjera të BE-së mund të ndjekin të njëjtin shembull.

Zhvillimet e fundit i kanë vendosur Netanyahun në një pozicion gjithnjë e më të vështirë. Nga njëra anë ka një publik që kërkon paqe dhe kthimin e pengjeve, ndërsa nga ana tjetër qëndrojnë partnerët e tij të ekstremit të djathtë që duan të përshkallëzojnë konfliktin.

Në këtë pikë, vendimmarrja e Netanyahut shihet më shumë si një përpjekje për të mbijetuar politikisht sesa si një strategji për t’i dhënë fund luftës. Për shumëkënd, kjo është një lëvizje që mund të zgjasë më tej vuajtjet e palestinezëve dhe fatin e pasigurt të pengjeve izraelite – e gjitha për hir të qëndrimit të tij në pushtet.

 

Top Channel