
Mëngjesin e sotëm, porti i Durrësit mirëpriti për të pestin vit radhazi një nga superjahtet më të mëdha dhe më luksoze në botë, jahtin A+, në pronësi të Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan, njëherazi edhe pronar i klubit të njohur të futbollit Manchester City.
Ky mjet lundrues konsiderohet një simbol i teknologjisë moderne detare dhe luksit ekstrem. Projektuar nga dizenjuesi i njohur Tim Heywood dhe me një interier të kuruar deri në detaje nga Terence Disdale, A+ përfaqëson një kryevepër të arkitekturës në ujë.
Jahti mund të strehojë deri në 52 mysafirë në 26 kabina luksoze dhe ka një ekuipazh prej 79 personash.
I pajisur me motorë Wärtsilä Diesel Electric, A+ arrin një shpejtësi maksimale prej 19 nyjesh, ndërsa shpejtësia e zakonshme e lundrimit është 12 nyje.
Kapiteni i Portit të Durrësit tha për Top Channel se së bashku me A+ kanë mbërritur edhe dy jahte mbështetëse, të quajtura M2 dhe Alesund.
Gjatë qëndrimit në port, të tre mjetet do të furnizohen me rreth 900 mijë litra naftë, për të cilën pronari do të paguajë një taksë luksi prej 40 centësh për litër, përveç çmimit të tregut, bursës që aktualisht është rreth 60 cent për litër.
Në total, vetëm për 10 orë qëndrim në portin më të madh të vendit, arka e shtetit shqiptar do të përfitojë rreth 360 mijë euro nga kjo taksë, pa përfshirë taksat portuale.
Top Channel