
Dy zyrtarë të lartë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) janë shkarkuar, njëri prej të cilëve kishte refuzuar kërkesat e administratës Trump për të dorëzuar emrat e agjentëve që hetonin sulmin në Kapitol më 6 janar 2021, raportojnë burime për CNN.
Brian Driscoll, i cili shërbente si drejtor i përkohshëm i FBI-së përpara se Kash Patel të konfirmohej në postin zyrtar, dhe Steve Jensen, drejtues i përkohshëm i Zyrës së Fushës në Uashington, janë të dy në proces shkarkimi.
Sipas burimeve, pritet të shkarkohen edhe agjentë të tjerë që konsiderohen se kanë qenë kritikë ndaj Donald Trump në të kaluarën.
FBI nuk ka dhënë komente zyrtare, ndërsa Driscoll në një letër drejtuar kolegëve tha: “Nuk më është dhënë asnjë arsye për shkarkimin. Nuk pendohem për asgjë. Ju jeni heronjtë e mi.”
Jensen, në mesazhin e tij të lamtumirës, i inkurajoi kolegët të ruajnë integritetin dhe të vazhdojnë misionin e tyre për të mbrojtur popullin amerikan dhe Kushtetutën. “Jini FBI,” përfundoi ai.
Kjo lëvizje vjen në javët e para të mandatit të dytë të Trump, gjatë të cilit të paktën gjashtë zyrtarë të lartë të FBI-së janë urdhëruar të dalin në pension, të dorëhiqen ose janë pushuar nga puna.
Ndër incidentet që kanë acaruar marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë është edhe refuzimi i Driscoll për të ndëshkuar një pilot të FBI-së që kishte ndihmuar në një hetim të lidhur me ish-presidentin Trump.
Shoqata e Agjentëve të FBI-së ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve, duke thënë se është thellësisht e shqetësuar dhe po shqyrton të gjitha opsionet ligjore për të mbrojtur anëtarët e saj.
Në fillim të këtij viti, një përpjekje për të shkarkuar mbi 100 punonjës të FBI-së u përball me rezistencë të fortë të brendshme dhe u pasua nga emërimi i Dan Bongino, një podkaster dhe aleat i Trump-it, si zëvendësdrejtor i FBI-së.
Top Channel