Nga kufizimi i aktivitetit fizik, loja ping-pong dhe masat e shtuara në ajrim/ Zbardhen ankesat e Metës dhe Veliajt në burg

07/08/2025 12:20

Zbardhen pretendimet  e Ilir Metës dhe Erjon Veliajt tek komisionerët e Avokatit të Popullit.

Gjashtë ditë dëgjimi në qeli i ankesave të ish presidentit Ilir Meta dhe të kryebashkiakut Erjon Veliaj, Avokati i Popullit i është drejtuar me kërkesë  Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të  Burgjeve për të marrë shkresa mbi planin e masave të gardianëve dhe grafikun e telefonatave që kanë kryer dy të paraburgosurit apo edhe takimet e tyre.

Kjo kërkesë e komisionerëve kundër torturës vjen mbasi kanë administruar me shkrim ankesat e dy të hetuarve të  SPAK, të cilët kanë pohuar tek avokati I popullit shkelje të të drejtave të njeriut nga institucionet shtetërore.

Top Channel mëson se për çfarë kanë ngritur shqetësimet e tyre secili nga të paraburgosurit, nën hetim për çështje korrupsioni dhe pastrim parash.

Nga paraburgimi 313, Ilir Meta thotë se mbas dy telefonatave publike, i është kufizuar aktiviteti sportiv pasi i lejohet të luajë ping-pong vetëm një herë në javë.

Ish presidenti i marrë i pandehur prej muajit maj, thotë gjithashtu, se i janë reduktuar telefonatat, dhe njëherazi nuk trajtohet njësoj si të paraburgosurit e tjerë mbasi kur del në ajrim ka forca më të shumta policore se të tjerët.

Ndërkohë siç i pohoi një burim zyrtar TCH, kryebashkiaku Erjon Veliaj është i shqetësuar për mënyrën se si është shoqëruar nga burgu i Durrësit drejt spitalit privat në datë 17 korrik.

Praninë e forcave të konsiderueshme e ka konsideruar si jo propocionale dhe diskriminuese.

Burimet shtojnë se ankesa tjetër e kryebashkiakut për të cilin gjithashtu janë mbyllur hetimet është ajo e mos vendosjes në dispozicion të analizave të kryera, që duhet t’i ishin bërë të ditura brenda 15 ditëve aq sa është afati i caktuar me ligj.

Më tej kryebashkiaku ka shqetësim për reduktimin e telefonatave dhe të vizitave, pretendime këto që kanë detyruar Avokatin e Popullit të kërkojë shkresa për procedurat që janë të urdhëruar në rregullore për takime, telefonatat, ajrimin, aktivitetin sportive dhe trajtimin shëndetësor.

Top Channel