
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk tërhiqet nga plani i tij për pushtimin e Gazës, duke thënë se synon të marrë kontrollin e plotë të saj, ndërsa u takua me kabinetin e tij të sigurisë për të diskutuar një marrje të plotë ushtarake.
OKB paralajmëron se ky veprim mund të rrezikojë “pasoja katastrofike” dhe familjet e pengjeve kanë frikë se mund të rrezikojnë fatin e te afermve te tyre.
Por media izraelite thotë se Netanyahu beson se kjo është e vetmja mënyrë për të shkatërruar Hamasin dhe për të liruar pengjet pas dështimit të bisedimeve për armëpushim.
Plani i Netanyahut parashikon lëvizjen ushtarake të Izraelit për të pushtuar të gjithë territorin – duke shkuar në zonat ku tani janë të përqendruar më shumë se dy milionë palestinezë. Ushtria izraelite më parë është tërhequr nga disa zona, duke përfshirë pjesë të Gazës qendrore, ku mendohej se mbahen pengjet. Rreth 87% e Gazës është nën kontrollin ushtarak izraelit ose i nënshtrohet urdhrave të evakuimit, sipas OKB-së. Ndërkohë, Hamasi reagoi për planin e Netanyahut, duke thënë se kryeministri i Izraelit po “planifikon të vazhdojë qasjen e tij të gjenocidit dhe zhvendosjes duke kryer më shumë krime kundër popullit palestinez”.
Izraeli nisi luftën e tij në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilin vrau rreth 1,200 njerëz dhe mori 251 të tjerë si pengje në Gaza. Ofensiva masive ushtarake e Izraelit ka vrarë të paktën 61,158 palestinezë që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza.
Top Channel