
Ministri i informacionit të Libanit tha të enjten se kabineti kishte miratuar objektivat e propozimit të SHBA-së për çarmatosjen e Hezbollahut deri në fund të vitit, së bashku me përfundimin e operacioneve ushtarake të Izraelit në vend, por jo të gjitha detajet u diskutuan.
Më parë, ministrat nga Hezbollahu i mbështetur nga Irani dhe aleatët e tij shiitë në qeveri dolën nga një mbledhje e kabinetit në shenjë proteste për diskutimet në lidhje me propozimin për çarmatosje.
Kabineti të martën i ngarkoi ushtrisë detyrën e hartimit të një plani për të siguruar monopolin e armëve të shtetit, një sfidë ndaj Hezbollahut, i cili hedh poshtë thirrjet për çarmatosjen e tij, thanë tre burime politike libaneze.
Hezbollahu e ka hedhur poshtë afatin kohor dhe këmbëngul që Izraeli së pari duhet të ndalojë sulmet ajrore dhe të tërheqë trupat e tij nga pesë pozicione ku ndodhet në Libanin jugor. Vëzhguesit thonë se Hezbollahu nuk ka gjasa të çarmatoset së shpejti.
Organizata shiite, megjithëse e dobësuar nga konflikti i saj i vazhdueshëm me Izraelin, mbetet një forcë politike dominuese në Liban.
Ndërkohë, media libaneze raportoi se kishin ndodhur bastisje të reja izraelite.
Ndërsa qeveria po diskutonte çarmatimin e Hezbollahut, pesë persona u vranë dhe dhjetë të tjerë u plagosën në një sulm izraelit në Libanin lindor, njoftoi Ministria e Shëndetësisë libaneze.
Sulmet ajrore po zhvillohen pavarësisht një armëpushimi midis Izraelit dhe grupit të armatosur Hezbollah, i cili zyrtarisht ka mbetur në fuqi që nga fundi i nëntorit.
Izraeli vazhdon sulmet e tij pothuajse të përditshme ndaj pozicioneve të Hezbollahut, duke kërkuar çarmatimin e plotë të organizatës.
Top Channel