
Pamjet e para të Steve Witkoff në Moskë, i dërguari special i SHBA-së, mund të ngjallin dyshime kur bëhet fjalë për mbështetje të fortë ndaj Ukrainës.
Ai shihet duke shëtitur i qetë në një park pranë Kremlinit, krah për krah me Kirill Dmitriev, kreun e investimeve të Rusisë. Witkoff, i veshur me syze dielli dhe pa asnjë nxitim të dukshëm, ka një pamje që ngjan më shumë me një udhëheqës të diplomacisë se sa me një negociator që po përpiqet të ndalë luftën, transmeton media britanike, Sky News.
Në një tjetër video, ai shfaqet i buzëqeshur dhe shtrëngon duart me presidentin rus, Vladimir Putin, një pamje që nuk është tipike për një person që po shkon në Moskë për të kërkuar një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë, analizon media britanike. Pavarësisht këtyre pamjeve të qeta, politikat e administratës Trump janë bërë më të ashpra ndaj Moskës, me presidentin amerikan që e kritikon gjithnjë e më shumë Putinin.
Trump ka përdorur një retorikë të ashpër, duke i përshkruar sulmet e vazhdueshme të Rusisë si “të neveritshme”, ndërsa ka vendosur afate për fundin e luftës. Nëse nuk merr atë që kërkon, ai ka kërcënuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë ruse, duke e thelluar edhe më shumë krizën ekonomike të Kremlinit.
Armëpushimi ajror: Një zgjidhje e mundshme?
Në këtë kontekst, një mundësi që mund të vijë në tavolinë është armëpushimi ajror. Megjithatë, ekspertët janë të mendimit se Vladimir Putin nuk do të pranojë një armëpushim të plotë, pasi forcat ruse vazhdojnë të avancojnë në terren dhe nuk ka asnjë nxitim për t’i dhënë fund luftës. Për më tepër, ai nuk ka treguar asnjë shenjë se do të heqë dorë nga objektivat e tij për të pushtuar territoret e Ukrainës.
Megjithatë, mund të ketë një mundësi që Rusia të ofrojë një lëshim, duke rënë dakord për një armëpushim ajror, që mund të shfaqet si një lëvizje diplomatike për të shmangur sanksionet e mundshme. Kjo nuk është hera e parë që Rusia ka ofruar lëshime të tilla, siç ka ndodhur me armëpushimet e mëparshme, të cilat shpesh kanë qenë të shkurtër dhe pa ndikim të dukshëm në përfundimin e luftës.
Nëse Rusia bie dakord për një armëpushim ajror, mbetet për t’u parë nëse ky do të mjaftojë për të qetësuar presionin e administratës Trump dhe për të ndaluar një rritje të mëtejshme të sanksioneve. A është ky një hap në drejtimin e duhur për të arritur një zgjidhje, apo thjesht një manovër taktike e Kremlinit për të fituar kohë?
Top Channel