Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka reaguar pasi presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr kërkesën e saj në këtë gjykatë, siç tha ajo, pasi gjyqtar raportues është caktuar Radomir Llaban.

Sipas Kushtetueses, ndarja e lëndëve bëhet në bazë të rregullave procedurale dhe se vendimet merren në përbërje të plotë të kolegjit.

Ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Gjykatën Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale, të cilat kjo Gjykatë i respekton me përpikëri. Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës“, thuhet në reagim.

Sa i përket gjyqtarit Llaban, për të cilin Osmani tha se ka tre raporte të institucioneve të sigurisë që tregojnë se i njëjti cënon rendin kushtetues dhe sigurinë nacionale të Kosovës, Gjykata Kushtetuese sqaron se ai iu është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore.

Sa u përket çështjeve të ngritura përkitazi me Gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Radomir Laban, siç jeni të informuar, i njëjti ka qenë i punësuar në Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2011, në pozitën e Këshilltarit juridik, dhe që nga data 9 gusht 2018 ushtron funksionin e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë”, vazhdon tutje sqarimi i Gjykatës që shton se në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin e saj, kjo gjykatë “i trajton të gjitha kërkesat e dorëzuara nga palët e autorizuara me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës“, thuhet më tej.

Top Channel