Më shumë se 100 persona raportohen të zhdukur pasi përmbytjeve të mëdha në shtetin verior indian të Uttarakhand.

Ngjarja tragjike ndodhi të martën në zonën malore të Uttarkashi, ku ujëra të furishme përfshinë fshatin turistik Dharali, duke përmbytur rrugë, ndërtesa dhe duke lënë pas rrënoja të shumta.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në zhvillim, por përparimi është i ngadalshëm për shkak të shiut të dendur, rrëshqitjeve të dheut dhe rrugëve të dëmtuara rëndë. Autoritetet lokale kanë konfirmuar se rreth 130 persona janë shpëtuar deri tani, ndërsa të paktën 10 ushtarë të bazës ushtarake në Harsil figurojnë të zhdukur.

Sipas mediave vendase, katër persona janë konfirmuar të vdekur, por autoritetet nuk kanë gjetur ende asnjë trup.

Shpërthimi i reshjeve ndodhi të martën rreth orës 13:30 me orën lokale, duke bërë që lumi Kheerganga të fryhej në mënyrë të menjëhershme dhe të përmbytë zonën përreth. Një pjesë e madhe e lumit Bhagirathi është bllokuar nga balta dhe mbetjet, duke krijuar një liqen artificial që ka përmbytur edhe një helipad qeveritar. Zyrtarët paralajmërojnë se nëse uji nuk largohet shpejt, mund të kërcënohen seriozisht vendbanimet përreth.

Situata rëndohet më tej nga moti i keq, me reshje që vijojnë edhe sot. Rrugët kryesore në rajon janë të dëmtuara rëndë, me çarje të mëdha dhe rrëshqitje dheu. Komunikimi me ekipet e emergjencës në terren është i pamundur për shkak të ndërprerjeve të energjisë dhe mungesës së sinjalit.

Zyrtarët e motit kanë parashikuar reshje të tjera të dendura në ditët në vijim dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet në zonat me rrezik të lartë për rrëshqitje dhe përmbytje. Shkollat janë mbyllur në disa pjesë të Uttarakhand-it.

Fshati Dharali, një ndalesë e njohur për pelegrinazhin Char Dham Yatra, zakonisht ka shumë turistë gjatë verës. Por këtë sezon, për shkak të reshjeve dhe paralajmërimeve për rrezik, numri i vizitorëve ishte i ulët – çka ndoshta parandaloi një tragjedi edhe më të madhe.

Uttarakhand është një prej rajoneve më të rrezikuara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Himalaje. Kujtojmë se në vitin 2013, përmbytje të ngjashme morën jetën e mijëra personave, shumë prej të cilëve nuk u gjetën kurrë.

Top Channel