Dielli ia kalon gazit dhe qymyrit! Për herë të parë në Europë, panelet diellore bëhen burimi kryesor i energjisë elektrike

06/08/2025 13:04

Në muajin qershor 2025, Bashkimi Europian ka arritur një moment historik në tranzicionin energjetik – për herë të parë, energjia diellore ka tejkaluar gazin dhe qymyrin në prodhimin e energjisë elektrike.

Sipas raportit të publikuar nga organizata Ember dhe shpërndarë nga Aleanca për Fotovoltaikun, energjia diellore ka prodhuar 22.1% të elektricitetit në 27 vendet anëtare, duke u bërë burimi kryesor i energjisë elektrike në BE.

Në krahasim, gazi natyror ka mbuluar 14.4% dhe qymyri vetëm 6.1%, çka tregon një ndryshim rrënjësor në strukturën energjetike të kontinentit.

Të paktën 13 vende europiane kanë shënuar rekorde të reja mujore në prodhimin e energjisë diellore. Holanda ka prodhuar 40.5% të elektricitetit nga dielli, ndërsa Greqia 35.1%.

Edhe muaji maj ishte rekord për energjitë e rinovueshme, duke mbuluar 55.9% të kërkesës totale elektrike në BE, prej të cilave 37.2% vinin nga fotovoltaiku falë hyrjes në funksion të impianteve të reja në shkallë të gjerë.

Italia ka përjetuar një moment të rëndësishëm në qershor, ku fotovoltaiku ka arritur të gjenerojë 42.6% të energjisë kombëtare, duke tejkaluar për herë të parë hidrocentralet që tradicionalisht kanë qenë burimi kryesor i rinovueshëm, me 37.3%.

Aleanca për Fotovoltaikun e ka përshkruar këtë zhvillim si provë të pjekurisë, efikasitetit dhe rëndësisë strategjike të kësaj teknologjie për të ardhmen energjetike të Europës.

 

Top Channel