
Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për krijimin e një grupi pune të posaçëm që do të përgatisë organizimin e Lojërave Olimpike Verore të vitit 2028 në Los Anxhelos.
Trump riktheu në vëmendje një nga temat më të debatueshme të fushatës së tij: ndalimi i sportistëve transgjinorë nga garat e grave.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se SHBA nuk do të lejojë që “burrat të marrin trofetë e grave” në Olimpiadën e vitit 2028 dhe theksoi se do të vendosen testime shumë të rrepta për të garantuar që vetëm gratë biologjike të konkurrojnë në sportet e femrave.
Ai falënderoi publikisht Komitetin Olimpik dhe Paralimpik të SHBA-së për përfshirjen e këtij ndalimi në politikat e tyre të reja të sigurisë për atletët, duke u bazuar në urdhrin e tij ekzekutiv “Të mbajmë burrat jashtë sporteve të grave”, të nënshkruar më herët gjatë këtij viti.
I pyetur nëse atletët transgjinorë që do të garojnë në sportet e grave mund të përballen me ndjekje penale, Trump u shpreh se kjo do të varet nga Prokurorja e Përgjithshme, por ai siguroi se “testimi do të jetë shumë i rreptë”.
Trump përmendi edhe rastin e diskutueshëm të boksieres algjeriane Imane Khelif, e cila fitoi medaljen e artë në Lojërat e Parisit mes akuzave për identitetin e saj gjinor. Megjithëse Khelif dhe autoritetet olimpike kanë sqaruar se ajo është grua, Trump dhe mbështetësit e tij vazhdojnë ta përdorin këtë rast si shembull të problemit që sipas tij duhet zgjidhur.
Presidenti amerikan kritikoi ashpër edhe zyrtarët lokalë të Kalifornisë, përfshirë kryebashkiaken e Los Anxhelosit Karen Bass dhe guvernatorin Gavin Newsom, duke i akuzuar për keqmenaxhim në çështje si zjarret dhe ndërtimet pas fatkeqësive natyrore.
Ai tha se nëse është e nevojshme, do të përdorë Gardën Kombëtare dhe ushtrinë për të garantuar sigurinë gjatë Lojërave Olimpike.
Trump do të jetë kryetar i grupit të punës olimpike, ndërsa nënpresidenti JD Vance do të shërbejë si zëvendëskryetar. Trump tha se Lojërat Olimpike 2028 do të jenë “të jashtëzakonshme” dhe një mundësi për SHBA-në “të tregojë se është një komb kampionësh”.
Top Channel