
Keni folur me ChatGPT me zemër të hapur, i keni treguar dyshimet për bashkëshortin, e keni përdorur për të përkëdhelur veten duke e trajtuar si të dashurin sekret.
I keni treguar ëndrrat tuaja e sekretet më të thella? Epo ka një lajm të keq për ju, bisedat tuaja mund ti keni kaluar në platformat publike dhe me një kërkim në Google mund t’i lexojë kushdo.
Një numër gjithnjë në rritje përdoruesish po ndajnë pa dashje biseda personale me inteligjencën artificiale në platforma publike, duke vënë në rrezik të dhëna private, identitetin e tyre dhe madje edhe sigurinë profesionale.
Në disa raste, përdorues të ndryshëm kanë publikuar pa vetëdije biseda me AI në rrjete sociale apo forume publike, ku janë zbuluar të dhëna personale, diskutime pune dhe informacione të ndjeshme.
Kjo ka shkaktuar reagime të forta nga ekspertët e sigurisë kibernetike, të cilët e cilësojnë këtë si një kërcënim të ri për privatësinë dixhitale.
Rreziqet janë të shumta: të dhënat personale mund të përdoren nga palë të treta për mashtrime apo vjedhje identiteti, ndërsa informacionet konfidenciale të kompanive mund të ekspozohen dhe të dëmtojnë reputacionin dhe sigurinë e tyre.
Besimi ndaj teknologjisë së AI mund të lëkundet nëse përdoruesit nuk janë të vetëdijshëm për mënyrën si i përdorin këto shërbime.
Ekspertët këshillojnë të mos ndahen kurrë biseda që përmbajnë të dhëna personale, informacione pune apo çështje familjare. Nëse dëshironi të ndani një ide apo këshillë nga një bisedë me AI, përdorni vetëm pjesë neutrale duke fshirë çdo element që mund të identifikojë personin apo kontekstin.
Gjithashtu, është më e sigurt të shpërndani vetëm screenshot-e ose kopje të redaktuara të bisedës, dhe jo lidhje direkte që çojnë te historia e plotë.
Mesazhi është i qartë: trajtojini bisedat me AI ashtu si trajtoni një email të rëndësishëm – me kujdes dhe me ndjeshmëri për privatësinë. Sepse edhe kur një shërbim është falas, të dhënat tuaja janë me shumë vlerë.
Në fund të ditës, kujdesi me informacionin është mburoja më e mirë në këtë epokë dixhitale.
Top Channel