
Guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbott, ka nisur një betejë ligjore për të shkarkuar nga detyra dhjetëra ligjvënës demokratë, pasi ata u larguan nga shteti për të bllokuar një projektligj për ripërcaktimin e kufijve zgjedhorë, që favorizon republikanët.
Në një padi të dorëzuar në Gjykatën Supreme të Teksasit, Abbott kërkon shkarkimin e përfaqësuesit demokrat Gene Wu, të cilin e cilëson si udhëheqësin e bojkotit. Padia argumenton se mungesa e qëllimshme e më shumë se 50 demokratëve përbën “braktisje të detyrës”, e cila sipas guvernatorit, duhet të ketë pasoja ligjore.
“Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve e braktisën detyrën e tyre ndaj teksanëve dhe duhet të ketë pasoja”, deklaroi Abbott, duke shtuar se mungesa e tyre e bëri të pamundur arritjen e kuorumit të nevojshëm për të zhvilluar votimin mbi hartën e re zgjedhore.
Plani i ri për rindarjen e zonave elektorale parashikon shtimin e pesë vendeve me prirje republikane në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së – një zhvillim që mund të forcojë kontrollin e republikanëve në Kongres në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas Kushtetutës së SHBA-së, shtetet rivizatojnë kufijtë zgjedhorë çdo 10 vjet pas regjistrimit të popullsisë. Megjithatë, Teksasi i kishte përditësuar hartat në vitin 2021 dhe nuk pritej t’i ndryshonte sërish deri në pas regjistrimit të radhës në 2030.
Në padinë ndaj Wu-së, përdoret instrumenti ligjor “quo warranto”, që sfidon të drejtën e një individi për të mbajtur një post publik. Abbott kërkon një vendim të shpejtë nga gjykata, duke i kërkuar të japë një vendim brenda orës 17:00 të së enjtes, një ditë përpara rifillimit të seancave në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Shumica e njerëzve që nuk paraqiten në punë në mënyrë të përsëritur pushohen nga puna. Nëpunësit publikë duhet të respektojnë të njëjtat standarde”, thuhet në dokumentin e padisë.
Top Channel