Trump i kërcënoi me tarifa nëse vijojnë të blejnë naftën ruse, reagon India: E pajustifikuar

05/08/2025 08:21

India ka reaguar në lidhje me kërcënimin e Donald Trump për tarifa më të larta për blerjen e naftës nga Rusia, duke e quajtur “të pajustifikuar dhe të paarsyeshëm”.

Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan paralajmëroi se do të rriste taksat, duke thënë se Indisë “nuk i intereson se sa njerëz në Ukrainë po vriten nga Makineria Ruse e Luftës”.

Trump nuk specifikoi se cila do të jetë tarifa e re, por ajo vjen vetëm disa ditë pasi ai zbuloi një taksë të madhe prej 25% ndaj Indisë.

Në një deklaratë, një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Indisë, Randhir Jaiswal, tha se SHBA-të e kishin inkurajuar Indinë të importonte gaz rus në fillim të konfliktit, “për forcimin e stabilitetit të tregjeve globale të energjisë”.

Ai tha se India “filloi të importojë nga Rusia sepse furnizimet tradicionale u devijuan në Evropë pas shpërthimit të konfliktit”.

India gjithashtu kritikoi SHBA-në – partnerin e saj më të madh tregtar, për futjen e tarifave, kur vetë SHBA-ja ende bën tregti me Rusinë. Vitin e kaluar, SHBA-ja tregtoi mallra me vlerë rreth 3.5 miliardë dollarë me Rusinë, pavarësisht sanksioneve dhe tarifave të ashpra.

“Ashtu si çdo ekonomi e madhe, India do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e saj kombëtare dhe sigurinë ekonomike. Synimi i Indisë është i pajustifikuar dhe i paarsyeshëm”, thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme.

India është aktualisht ndër blerësit më të mëdhenj të naftës ruse. Ajo është bërë një treg i rëndësishëm eksporti për Moskën pasi disa vende evropiane ndërprenë tregtinë kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Top Channel