Ruanda do të mirëpresë deri në 250 emigrantë që do të deportohen nga SHBA-të

05/08/2025 21:05

Qeveria e Ruandës njoftoi të martën se do të pranojë deri në 250 migrantë që do të deportohen nga Shtetet e Bashkuara, sipas një marrëveshjeje të re të arritur me Uashingtonin.

“Ruanda ka rënë dakord me Shtetet e Bashkuara për të pranuar deri në 250 migrantë. Kjo, kryesisht sepse pothuajse të gjitha familjet ruandeze e njohin dhimbjen dhe sfidat e zhvendosjes, ndërsa vlerat tona shoqërore janë të bazuara në riintegrim dhe rehabilitim,” deklaroi zëdhënësja e qeverisë, Yolande Makolo.

Sipas saj, Ruanda do të ketë të drejtën të miratojë ose të refuzojë çdo person të propozuar që do të zhvendoset. Megjithatë, ajo nuk dha detaje mbi afatin kohor, kombësitë e migrantëve apo çfarë do të përfitojë vendi i saj në këmbim.

“Do t’ju japim më shumë detaje sapo marrëveshja të finalizohet,” shtoi Makolo në një përgjigje me shkrim për agjencinë AFP.

Uashingtoni ka ndërmarrë një fushatë masive dëbimesh gjatë muajve të fundit dhe po negocion marrëveshje të diskutueshme për të dërguar migrantët në vende të treta, kryesisht në Afrikë.

Një grup prej tetë emigrantësh të deportuar nga SHBA-të u ndalua muajin e kaluar nga autoritetet e Sudanit të Jugut. Nga ata, vetëm një është grua dhe ka shtetësi sudaneze.

Në korrik, pesë persona pa dokumente, nga vende të Azisë dhe Karaibeve, u deportuan në Eswatini — një vend i vogël në Afrikën Jugore. Administrata Trump deklaroi se vendet e tyre të origjinës kishin refuzuar t’i pranonin.

Një marrëveshje e ngjashme për migracionin u nënshkrua më parë edhe me Mbretërinë e Bashkuar nga qeveria e Rishi Sunak, por u anulua në vitin 2024 nga qeveria e re e udhëhequr nga Keir Starmer, pasi shkaktoi reagime të forta publike dhe politike.

Kritika ndaj Ruandës

Ruanda është përballur me kritika ndërkombëtare për shkelje të të drejtave të njeriut dhe ka qenë nën presion në rritje kohët e fundit për shkak të përfshirjes së saj në një konflikt të armatosur në Republikën Demokratike të Kongos.

Lidhur me marrëveshjen për migracionin mes Kigalit dhe Londrës, Gjykata e Lartë Britanike vendosi se dërgimi i emigrantëve në Ruandë do të ishte i paligjshëm, me arsyetimin se “i ekspozon ata ndaj rrezikut real të keqtrajtimit.”

Top Channel