Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj ndihmës drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë

05/08/2025 12:17

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit ndaj Igor Popoviç, ndihmës drejtorit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

Ai akuzohet se me dashje ka përhapur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike përmes një fjalimi publik të mbajtur më 18 korrik në Rahovec.

Aktakuzë ndaj I.P. për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe e mosdurimit”.

“Sipas aktakuzës, I.P. ka mbajtur një fjalim publik, me të cilin i është drejtuar një mase të gjerë qytetarësh, ku ndër të tjera ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse, duke thënë: “…Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste”, dhe më pas ka vazhduar të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve, duke deklaruar: “Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe…'”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas këtij institucioni, Popoviç ka cenuar bashkëjetesën ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Po ashtu, prokuroria bën me dije se Popoviç ka pranuar fajësinë për veprën penale.

“Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, thuhet në njoftim.

Top Channel