“Ne nuk votuam për ChatGPT”/ Pranoi se ‘merr mendim’ nga Inteligjenca Artificiale, kritikohet kryeministri suedez

05/08/2025 18:03

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, është përballur me kritika pasi pranoi se përdor rregullisht mjete të inteligjencës artificiale për të marrë një “mendim të dytë” në ushtrimin e detyrës së tij si udhëheqës i vendit.

Kristersson, partia e të cilit udhëheq koalicionin qeverisës të qendrës së djathtë në Suedi, tha se përdor mjete si ChatGPT dhe shërbimin francez LeChat. Ai shtoi se edhe kolegët e tij i përdorin AI-në në punën e përditshme.

Në një intervistë për gazetën suedeze të biznesit Dagens, Kristersson tha: “E përdor vetë mjaft shpesh. Nëse jo për gjë tjetër, atëherë për një mendim të dytë. Çfarë kanë bërë të tjerët? Dhe a duhet të mendojmë të kundërtën? Pyetje të këtij lloji”.

Megjithatë, ekspertët e teknologjisë kanë ngritur shqetësime për përdorimin e AI nga politikanët në këtë mënyrë, dhe gazeta Aftonbladet e akuzoi Kristerssonin në një editorial se ka “rënë pre e psikozës së AI-së së oligarkëve”.

Zëdhënësi i Kristerssonit, Tom Samuelsson, tha më vonë se kryeministri nuk merr rreziqe në përdorimin e AI-së: “Sigurisht që nuk bëhet fjalë për informacione të ndjeshme që përfundojnë atje. Përdoret më tepër për të marrë një ide të përgjithshme”.

Por, Virginia Dignum, profesoreshë e inteligjencës artificiale në Universitetin e Umeå-s, tha se AI nuk është në gjendje të japë një mendim domethënës për ide politike dhe se ajo thjesht pasqyron qëndrimet e atyre që e kanë ndërtuar.

Top Channel