Marrëdhënia e ngushtë mes Trump dhe Bolsonaro, SHBA dënon arrestin shtëpiak të ish-presidentit të Brazilit

05/08/2025 09:07

Gjykata Supreme e Brazilit ka urdhëruar arrestin shtëpiak të ish-presidentit Jair Bolsonaro, nën akuzat për komplot për grusht shteti, një vendim që është dënuar nga Shtetet e Bashkuara, duke rritur tensionet diplomatike mes dy vendeve.

Gjykatësi Alexandre de Moraes tha se masa u mor pasi Bolsonaro kishte shkelur urdhrat kufizues, duke përdorur rrjetet sociale të aleatëve, përfshirë djemtë e tij, për të përhapur mesazhe që inkurajonin sulme ndaj institucioneve dhe ndërhyrje të huaja.

Kjo përfshinte edhe një video të postuar nga djali i tij Flávio, që më vonë u fshi, ku Bolsonaro komunikonte drejtpërdrejt me mbështetësit.

Gjykata ndaloi gjithashtu çdo vizitë për Bolsonaro, përveç avokatëve dhe të autorizuarve nga gjykata, si dhe ndalimin e përdorimit të telefonit. De Moraes shkroi: “Drejtësia është e verbër, por nuk është budallallëk.”

Departamenti Amerikan i Shtetit e quajti vendimin “të pajustifikuar” dhe deklaroi se “do t’i mbajë përgjegjës ata që ndihmojnë dhe inkurajojnë sjelljen e sanksionuar”. Sipas burimeve diplomatike, kritikat ndaj vendimit janë të lidhura edhe me marrëdhëniet e ngushta që Bolsonaro ka me Donald Trumpin.

Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të Bolsonaros, duke e quajtur një “gjueti shtrigash” dhe duke përdorur çështjen si argument për të vendosur tarifa 50% ndaj disa mallrave braziliane, pavarësisht suficitit tregtar të SHBA-së ndaj Brazilit.

Trump dhe Bolsonaro kanë pasur marrëdhënie të ngushta politike gjatë kohës së presidencës së tyre. Përkrahja e Trumpit ndaj Bolsonaros ka ndezur kritika ndaj SHBA-së për përfshirje të mundshme në çështjet e brendshme gjyqësore të Brazilit.

Top Channel