
Ashtu si çdo pasdite, në këto dy vitet e fundit pas lirimit nga burgu, Frrok Lleshaj po kthehej me bagëtitë e tij në shtëpi, kur u qëllua disa herë me pistoletë, duke i shkaktuar vdekjen.
65-vjeçari dyshohet se është vrarë mbrëmjen e së hënës, rreth orës 20:00, në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, ndërsa trupi i tij i pajetë është gjetur më vonë nga kalimtarë të rastësishëm.
Lleshaj ishte një emër i njohur për strukturat e drejtësisë, pasi kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës në burg për vrasje. Për këtë arsye, pista kryesore e hetimit mbetet ajo e gjakmarrjes. Familja e tij rezulton e përfshirë në dy konflikte të nisura që nga viti 1991.Në atë kohë, djali i viktimës u vra në Greqi në një ngjarje të mbushur me mister, por dyshimet ranë mbi kushëririn e tyre, Dodë Lleshaj, i cili pak kohë më pas u vra edhe ai. Asokohe, Frrok Lleshaj u akuzua si autor i krimit, por ai nuk e pranoi kurrë autorësinë, duke deklaruar se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen.
Ndërkohë, pak vite më pas, një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka. Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, ngjarje të cilën këtë herë e pranoi në gjykatë dhe për të cilën u dënua me 25 vite burg dhe kreu dënimin dy vite më parë. Nga këto dy hasmëri të vjetra dhe ende të pambyllura, mbetet i vrarë edhe vëllai i Frrok Lleshajt. Bashkë me 65-vjeçarin që u qëllua mbrëmjen e 4 gushtit, numri i viktimave për shkak të gjakmarrjes shkon në pesë.
Dyshimet kryesore për vrasjen e 65-vjeçarit lidhen me këto dy konflikte, por deri tani nuk ka ende persona të ndaluar nga policia. Janë shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, përfshirë edhe familjarë, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete lidhur me autorësinë e vrasjes së Frrok Lleshajt.
Top Channel