Nga Aladin Stafa

Prej dekadash vendi ynë, Shqipëria po përpiqet të ecë drejt një procesi integrues që më shumë sesa propagandë, tani duhet të jetë një proces i prekshëm dhe më konkret për njerëzit/ qytetarët. Ndryshimi i sistemit politik në fund të viteve ‘80, nga një regjim diktatorial drejt një rendi të ri demokratik më shumë se e shkaktuar prej të mëdhenjve të botës, ishte një etapë historike që duhej merituar.

Ishim apo nuk ishim gati, këto janë zhvillime që sot tek një popull jo mirë të drejtuar përgjatë historisë, përcjellin mendësi që mbesin peng të së kaluarës duke e ashpërsuar të tashmen tonë përtej mundësive që kemi. Shqipëria të ngjan se bën hapa para drejt zhvillimit e herë sikur kthehet pas. Bashkëshoqëruar këto ndodhi edhe me të tjera që rrinë pezull si pa orientim.

Por a është kjo panoramë e Shqipërisë e shkaktuar për faj të krizave politike që asaj i është dashur të jetojë?

Shqipëria vuan nga kriza e mospranimit. Ne jemi një vend që nuk e duron dot “pasqyrën“ si një koncept për t’u përballur me gjendjen tonë aktuale e kësisoj përpiqemi t‘i ikim reflektimit personal sepse mendojmë se arratisja është më e lehtë se zhgënjimi.

Ne nuk jemi thjesht në krizë- por një vend në refuzim. Refuzimi përkundrejt përgjegjësisë, historisë dhe së vërtetës- më keq akoma- refuzimi kundrejt vetes. Jeta jonë individuale jetohet me moton se më shumë rëndësi ka se si të dukemi e jo se kush jemi; ku fasada vlen më shumë se themelet/ rrënjët, dhe ku kujtesa kolektive është një mozaik me pjesëza jo të lidhura me njëra-tjetrën, mes glorifikimit dhe harresës.

Me siguri mund të jemi i vetmi vend në Ballkan ku historia nuk mësohet por devijohet. Ballkanasit i fshihen të kaluarës, duke kultivuar kësisoj në shoqëri kulturën e mohimit. Nuk flasim për plagët e diktaturës sepse kjo temë tani është tejkaluar prej diskutimeve. Po aq dhe për trazirat që solli viti i vështirë 1997 sepse atëkohë koha po tregon se të gjithë ishin fajtorë. Por ka një postulatë logjik në literaturën e huaj – kur të gjithë janë fajtorë për cfarë ndodh, e vërteta është se askush nuk është i tillë.

Dhe për të vazhduar më tej, me eksodin e ikjeve që nisi në fillim të viteve ‘90 e që nuk po kuptojmë se kur mund të përfundojë. Askush nuk mund ta pranojë të vërtetën, sepse ta pranosh atë do të thotë të ndjesh. E të ndjesh në Shqipërinë e 2025 është lodhje e tepërt.

Kemi mësuar mirë të shtiremi si shoqëri moderne, modele të marra nga bota me aplikacione, modë e trende- por kemi harruar të pyesim mbi themelin që na identifikon: cfarë jemi, për kë jemi dhe cfarë duam të jemi.

Nuk mendojmë më. Nuk perceptojmë më. Duke mbetur një shoqëri që lufton për imazhin dhe jo përmbajtjen. Ndaj në një vend ku realiteti është i papranueshëm, ikja nuk shfaqet vetëm fizike. Ajo është dhe mendësi.

Shoqëria shqiptare jeton shumë më thellë në botën e mediave sociale, atje ku kafen mund ta pish në Tiranë por mendjen mund ta kesh në perëndim. Dhe është kjo arsyeja që kjo gjendje e dyfishtë- jeta në Shqipëri e mendja jashtë saj- ka filluar shfaqet si një simptomë e një shoqërie që nuk është më në gjendje të besojë. Dhe më keq akoma të mos besojë as te vetja.

Por si njeriu mund të besojë tek diçka që as nuk e pranon?

Çfarë mund të ndodhë nëse ndalojmë së gënjyeri veten? Është e domosdoshme ta themi hapur kur nuk ndihemi mirë e në këtë drejtim ne si shqiptarë kemi shumë për të bërë. Ndoshta do të ishte pikërisht kjo pika e kthesës.

Sepse përtej lavdërimit apo mallkimit të së shkuarës, ne duhet ta kuptojmë atë. Për të ndërtuar një shoqëri funksionale, duhet më parë një shoqëri jopërjashtuese, një shoqëri që pranon fajin ashtu si dhe gëzimin. Që pranon gabimet ashtu si dhe aksionet. Pa këtë, reformat mbeten improvizime e çdo shpresë kthehet në dekor.

Ka vende që vuajnë. Ka vende që gabojnë. Ka vende që e humbasin trenin në rrugën e gjerë drejt prosperitetit dhe e gjejnë atë sërish. Por ne, shqiptarët duket se jemi një tjetër histori. Ne nuk duam ta pranojmë veten, nuk e durojmë të vërtetën kur ajo na afrohet shumë. Hera -herës i përngjasojmë atij “njeriut të shpellës“, ku i vetmi realitet me të cilin ndeshej ishte errësira dhe kaosi. Dhe kur ndonjë rreze drite arrinte të futej sado pak brenda dhe shihte se në cfarë pështjellimi gjendej, nervozohej. Sepse ai nuk donte ta pranonte se çcfarë rrezja e dritës i zbulonte para syve. Atë që ai e dinte mirë por vetëdija e shkurtër nuk donte ta pranonte.

Shqipëria nuk është e pamundur nga natyra- por nga vetvetja. Ajo ka gjithçka që i duhet për të qenë një vend që ecën: burime ujore, energji diellore dhe sigurisht rini me ambicie për jetën. Por duket se i mungon vetëm një gjë: vullneti për të qenë i vërtetë me veten.

Deri atëherë asgjë nuk do të mundet të ndryshojë dhe e vetmja gjë që do të ndihet është e panjohura- e panjohura, për sa kohë ajo dhe njerëzit e saj do ta largojnë pasqyrën e përditshme për të pranuar veten me të vërtetat e saj.

Top Channel